Vëzhgim ; Ish-Blloku, dy rrugë kthehen në vende parkimi
Mund të thuhet me bindje se shumë rrallë zona e ish-Bllokut mund të shihet me pak njerëz, pothuajse në shumicën e orëve të ditës edhe kur dielli djeg si saç po sidomos në mbrëmje, ajo përballon një lëvizje shumë të dendur. Shpeshherë është e pamundur të "çash" në mizërinë e grupeve të të rinjve që jo vetëm e kanë si pikë takimi, por edhe vazhdojnë të qarkullojnë aty për të gjetur një vend për t’u ulur apo një cep për të pasur në pëllëmbë të dorës sfilatën që sa vjen e bëhet më interesante. Nuk duhet të banosh në atë zonë për të kuptuar se sa shpesh frekuentuesit e saj shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, apo e thënë ndryshe, tek-tuk të qëllon të vështrosh me habi ndokënd që i përmbahet atyre.
Por si të mos mjaftojnë këta 'piratët' e rrugëve, Policia Bashkiake bën të vetën që të rëndojë dhe më tepër trafiku. Po marrim si shembull një ndër rrugët më të frekuentuara të ish-Bllokut, rrugën “Brigada 8”. Banorët e bllokut të pallateve “Agimi” që të arrijnë të dalin në këtë rrugë duhet të bëjnë një “pelegrinazh” të vërtetë. Meqenëse dy rrugëdaljet e vetme që kanë banorët e pallateve “Agimi” për të dalë në këtë rrugën “Brigada 8” janë zënë nga makinat e parkuara nga banorët e pallateve apo të frekuentuesve të lokaleve përreth. Për këtë çështje kërkuam në bashki sqarim nëse statusi i këtyre rrugëdaljeve është ndryshuar nga vetë bashkia apo këto makina parkohen me vullnet të lirë duke mos e vrarë shumë mendjen për rregullat. Por nga Bashkia e Tiranës akoma nuk na është kthyer përgjigje dhe mund ta kuptojmë pse-në. Në të dyja rastet kemi të bëjmë më një mosfunksionim të institucionit në fjalë. Së pari, në qoftë se bashkia e ka ndryshuar me vetëdije statusin e këtyre rrugëdaljeve në parking, atëherë nuk e ka llogaritur mirë dëmin që do t'u sillte banorëve të zonës. Së dyti, në qoftë se vetë frekuentuesit e lokaleve përreth i lënë makinat me iniciativën e tyre duke penguar kështu rrugëkalimet, në këtë rast mungon bashkëpunimi midis bashkisë dhe Policisë Rrugore që sjell mosndëshkimin e shkelësve të kodit rrugor. Banorë të bllokut të pallateve “Agimi” u shprehën për gazetën “Standard” se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më kështu dhe se bashkia apo Policia Rrugore duhet ta përmirësojnë menjëherë gjendjen. Sipas tyre, këto rrugëdalje janë jetike për arteriet e bllokuara të rrugëve të ish-Bllokut jo vetëm për shqetësimin që sjellin në qarkullimin e përditshëm, por dhe në raste të veçanta, siç janë emergjencat shëndetësore apo rastet e zjarreve. Besoj se ka ardhur koha që të mos mbetemi vetëm në lutjet tona për të mos pasur kurrë nevojë për një urgjencë apo zjarrfikëse, por të besojmë në dorën e shtetit dhe institucioneve të tij në zgjidhjen e këtyre situatave.
Gjithashtu, një problem tjetër i qytetarëve është dhe ai i bllokuesve. Ka pak muaj që Bashkia e Tiranës po zbaton një metodë të re për të gjithë ata që shkelin kodin rrugor. Në parim, kjo gjë është mjaft interesante, sepse çdo automjet që parkohet “keq”, pra jo në vendin e duhur, i bllokohet një rrotë nga policë të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, një ndëshkim i tillë zor se zbatohet njësoj në të gjitha zonat. Kjo, pasi po të udhëtosh në rrugët e Tiranës, vihet re se bllokohen vetëm ato makina që janë parkuar në rrugët më kryesore, ndërsa po të vëzhgojmë brenda pallateve apo rrugëve që janë larg mjediseve apo rrugëve më të mëdha, gjithçka është ndryshe, pasi menjëherë vëren se sa pak është vënë dorë mbi shkelësit e kodit rrugor. Për të hyrë në lagje apo në mjedise të caktuara është gati një mision i pamundur. Kjo, pasi makinat parkohen mbi trotuare ose lihen aty-këtu çdo ditë, si të ishin lojëra fëmijësh. Duket që pronarët e tyre nuk e kanë provuar ndëshkimin e për të tilla shkelje, pasi nëse një gjë e tillë do të ndodhte, sigurisht që do të mendoheshin dy herë para se ta parkonin sërish. Ndërsa në “qendër” gjithçka është ndryshe. Aty, bllokuesit e rrotave nuk kanë “mëshirë” për asnjë rrotë makine!