E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, ndryshon mënyra e llogaritjes së notës mesatare në universitete

Mesatarja në universitet nuk do të llogaritet më me metodën klasike. Kjo, pasi një udhëzim i Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar se edhe kreditet që një student merr për një lëndë do të luajnë rolin e vetë në mesataren e shkollimit, e cila do të quhet Mesatare e Ponderuara dhe do të ketë një formulë të veçantë vlerësimi, ku do të merren parasysh notat e studentit, kreditit që ka çdo lëndë dhe numri total i lëndëve që ka dhënë.

Formula

Formula e re e cila është përcaktuar në një udhëzim të veçantë të Ministrisë së Arsimit, që i është dërguar të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në vend do të zbatohet edhe në diplomat e studentëve që përfunduan këtë vit universitetin ose akademinë.

Në këtë mënyrë, nota mesatare që do të shënohet në diplomë, nuk do të jetë produkt i mbledhjes së të gjitha notave dhe pjesëtimit të shumës me numrin e lëndëve, por me formulën: Kid x Nid / nd, ku “Kid” do të jetë numri i krediteve për një disiplinë, apo veprimtari tjetër formuese, përfshirë dhe tezën e diplomës; Nid: nota e marrë në disiplinën respektive, veprimtarinë formuese apo për tezën e diplomës dhe nd: numri i disiplinave apo veprimtarive të tjera formuese, përfshirë dhe tezën e diplomës.

Kjo do të thotë, që studentë me nota të njëjta në lëndë të ndryshme do të kenë notë mesatare të ndryshme të shënuar në diplomat e tyre.

Nëse një student ka marrë notën 10 në një lëndë me 6 kredite dhe 8 në një lëndë me 3 kredite, ndërkohë që studenti tjetër 10 në lëndën me 3 kredite dhe 8 në lëndën me gjashtë kredite, studenti i parë do të ketë notë mesatare më të lartë.

Llogaritja me formulën e Ministrisë së Arsimit përcakton që çdonjëra nga notat do të shumëzohet me kreditit e lëndës përkatëse dhe më pas shuma do të pjesëtohet me numrin total të krediteve. Kështu, në rastin që supozuam, studenti i parë do të ketë notë mesatare 9.3, ndërsa studenti i dytë do të ketë notë mesatare 8.6.

Për nota të njëjta, pra dhe notë mesatare aritmetike të njëjtë, nota mesatare e ponderuar është e ndryshme për dy studentët, pasi notat e njëjta i kanë marrë në disiplina me numër të ndryshëm kreditesh apo me pesha të ndryshme.

Karta e Bolonjës

Këto ndryshime vijnë si pasojë e reformimit të sistemit universitar shqiptar, që nisi 4 vite më parë me prezantimin eksperimental në disa degë të veçuara të sistemit të Bolonjës. Një vit pas këtij eksperimentimi, të gjitha shkollat e larta në vend, përfshi edhe akademitë nisën të njëjtën procedurë dhe karta e Bolonjës u bë baza kryesore e arsimit të lartë shqiptar. Një vit më parë, në ligjin e ri të arsimit të Lartë, Kartës së Bolonjës iu kushtua një kapitull i plotë me 20 nene përafërsisht, duke e afirmuar sistemin e vendosur nga udhëheqësit arsimor të Evropës 10 vite më parë, si të vetmin sistem që do të përdornin shkollat e larta në Shqipëri, qofshin ato private apo publike. Kreditet e lëndëve përcaktohen pikërisht nga kjo kartë, si një njësi matëse, jo e nivelit të lëndës, por thjesht e kohëzgjatjes së saj. Në këtë mënyrë, lëndët që kanë më shumë orë mësimi në sallat e leksioneve dhe seminareve kanë më shumë kredite, ndërsa ato me më pak orë, kanë numër të vogël kreditesh.

Sistemi i notës mesatare të ponderuar tenton, sipas ministrisë, që t’u japë rëndësi të barabartë lëndëve, duke i vlerësuar studentët me notë me vlerë të barabartë në çdo lëndë. Kjo, pasi një lëndë me ngarkesë më të madhe nuk mund të ketë të njëjtën vlerë me një lëndë me ngarkesë më të vogël, sipas Ministrisë së Arsimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›