E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë; Përplaset nga një makinë, vdes kalimtari 50-vjeçar

Një këmbësor është përplasur për vdekje nga një makinë dy net më parë rreth orës 21:00 në afërsi të kthesës së Kamzës. Sipas policisë, 50-vjeçari Përparim Laçi, lindur në Burrel dhe banues në Kamëz, ka qenë duke kaluar nga njëri krah i karexhatës në tjetrin, kur është përplasur nga një automjet furgon, tip Benz Sprint. Nga përplasja, 50-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes, nga ekspertët e hetimit të aksidenteve u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili menjëherë pas ndodhjes së këtij aksidenti është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjirokastër

Akuzohet për falsifikim dokumentesh, arrestohet Shtëmbari

Policia e Gjirokastrës ka ndaluar dy net më parë Françesko Shtëmbarin, me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 7 muaj burg për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave”, vepër kjo e parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal. Ky person në muajin gusht të vitit 2007, është ndaluar në pikën e kalimit të kontrollit kufitar Kakavijë, pasi donte të kalonte kufirin me një pasaportë në të cilën kishte një vizë Shengen të dyshuar si false. Më pas, është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku janë kryer veprimet e para hetimore nga ana e sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe dokumentet i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila e ka ndjekur në gjendje të lirë deri në përfundim të veprimeve ligjore. Nga ekspertiza ka rezultuar se viza ishte e falsifikuar dhe për këtë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër më datën 30.05.2008, në mungesë e ka dënuar me 7 muaj burg këtë shtetas. Kapja e këtij shtetasi u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›