E Shtunë, 31 Tetor 2026

SIDA, shtohen rastet, edhe 17 raste të reja

Shtohet në mënyrë alarmante numri i personave të infektuar me virusin HIV-AIDS. Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti janë zbuluar 17 persona të sëmurë me SIDA.

Rastet

Koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, tha se "rastet e konstatuara flasin për një shtim të numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë". Sëmundja e HIV- AIDS-it, e cila numëron mbi 250 raste në vendin tonë, ka prekur edhe 17 persona të tjerë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Bazuar në numrin e personave të diagnostikuar dhe të raportuar, Shqipëria konsiderohet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV.

Megjithatë, tendenca në rritje e numrit të rasteve dhe vlerësimet sugjerojnë një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuara. Rrjepaj tha se ky fakt shtron domosdoshmërinë për përmirësimin në mënyrë të vazhdueshme të sistemit të survejancës dhe promovimin e Qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar (VCT), në mënyrë të veçantë të grupeve vulnerable të popullatës.

Nga 17 rastet e reja të raportuara deri tani, rezulton se 65 për qind janë meshkuj dhe 35 % femra. 70 për qind e këtyre rasteve janë zbuluar në Tiranë, ku 50 për qind të tyre e zë grupmosha 35-44 vjeç.

Transmetimi

Mbetet ende problematikë shtimi i numrit të personave të prekur nga kjo sëmundje. Sipas specialistëve, është e nevojshme një ndërhyrje në terren për të testuar vullnetarisht grupet më vulnerable.

Duke analizuar rastet e reja të infektuar me këtë sëmundje, specialistët e ISHP-së evidentojnë se 17 personat janë infektuar përmes transmetimit seksual.

“Për sa i përket rrugës së transmetimit të virusit, rruga seksuale vazhdon të mbetet mbizotëruese”, - tha Rrjepaj, sipas të cilit, qysh prej vitit 1993, kur u diagnostikua rasti i parë HIV pozitiv, 90 persona kanë shfaqur AIDS-in dhe 56 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Që prej vitit 2004 janë 82 persona të rritur dhe 15 fëmijë që marrin trajtim medikamentoz falas nga shteti. Gjatë periudhës së parë të evoluimit të infeksionit HIV në Shqipëri (1993-2000), numri mesatar i rasteve të raportuar ishte 6-7 persona në vit. Në periudhën e dytë (2001- 2003) vihet re një dyfishim i numrit të rasteve, mesatarisht 20 raste të reja të diagnostikuar në vit, ndërsa në tre vitet e fundit kjo shifër ka kaluar numrin 30.

Nis funksionimi i shërbimit të alkoologjisë

Shërbimi i ri për trajtimin e të alkoolizuarve, për ngritjen e të cilit u punua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Evropiane të Alkoologjisë me qendër në Udine (Itali), është në pritje për trajtimin e individëve të varur nga alkooli. Sipas drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Mati Pepa, ky shërbim, i vendosur në një pjesë të godinës së vjetër të Spitalit Psikiatrik, është gati për të ofruar trajtim të specializuar, pasi është pajisur me mjetet e nevojshme dhe me 12 shtretër. Pepa tha se struktura e stafit përmban një mjek përgjegjës, 4 infermiere, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, drejtoria e QSUT-së ka përzgjedhur edhe mjek që kanë mbaruar specializimin në Itali.

Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të ketë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike.

Ngritja e një klinike për trajtimin e varësisë alkoolike është në përputhje edhe me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të cilën abuzimi me alkoolin është problem prioritar i shëndetit publik, për patologjitë e rënda (si ciroza hepatike), por dhe për impaktin e tij social. Sipas një studimi të kohëve të fundit, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, alkooli konsumohet nga rreth 350 mijë shqiptarë, prej të cilëve 58 për qind konsumojnë alkool tej masës së lejuar dhe 22 për qind janë të varur prej tij.

ISKSH rimburson 70 për qind sëmundjet kardiovaskulare

Sëmundjet kardiovaskulare, të cilat zënë vendin e parë në sëmundshmërinë e përgjithshme të popullatës, rimbursohen me masën rreth 70% nga Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) dhe zënë 33.3% të shpenzimeve të rimbursimit vjetor për barnat. "Vendosja e kësaj mase është parë me përparësi si në aspektin shkencor (këto janë sëmundje me rrezikshmëri të lartë dhe përqindje të lartë invaliditeti) edhe në aspektin social (përhapja e gjerë në popullsinë me të ardhura më të ulëta)", - u shpreh Etiola Kola, zëdhënëse e këtij instituti, duke vënë në dukje se ky është një risk, me të cilin ISKSH-ja përballet sistematikisht, veçanërisht në vitet e fundit.

Ajo vlerësoi se është bërë mbulimi i të gjitha grup-sëmundjeve dhe një shpërndarje e drejtë e fondeve, duke marrë në konsideratë shpenzimet për rimbursimin e barnave në vitin 2007. Lista e Barnave të Rimbursueshme 2008 mbulon rreth 94% të sëmundjeve kronike, - tha Kola.

Sipas saj, përmbushjes së prioritetit të ISKSH-së për pasurimin e vazhdueshëm të listës me barna të reja dhe cilësore në shërbim të pacientit, i ka shërbyer edhe përfshirja e mbi 21 barnave alternative të reja. Kjo listë ka në total mbi 400 barna me një vlerë rreth 4.2 miliardë lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›