E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgim; Durrësi, i mbushur me distributorë karburantesh



Durrësi, në të gjitha segmentet e veta rrugore gjendet i mbushur me pika karburanti apo, siç quhen ndryshe, distributorë të tillë. Në pamjen e parë duket sikur kompanitë e karburanteve janë vënë në garë mes tyre se cili do të ketë më tepër pika shitjeje apo, siç njihen rëndom, distributorë të karburanteve. Në një hapësirë relativisht të vogël apo në çdo 5 km gjendet një i tillë dhe në krejt hapësirën rrugore janë ndërtuar disa dhjetëra të tillë e ndërkohë vazhdojnë kërkesat për leje ndërtimi për të tjerë distributorë fare pranë atyre ekzistues. Një situatë e tillë natyrisht që ka ndikuar në uljen e xhirove të secilit prej distributorëve.

Ku gjendet ato

Në aksin rrugor Durrës - Maminas, vetëm fare pranë autostradës numri i distributorëve ka arritur në 24 të tillë. Ato zënë fill që brenda portit detar në kundërshtim me ligjin, pasi porti konsiderohet zonë doganore dhe vazhdojnë ngjitur me hyrjen nr. 2 të portit te Banka Tregtare, gjithashtu në kundërshtim me ligjin, pasi është ngjitur me pallatet e banimit e për të vijuar rrugës përgjatë Urës së Dajlanit ku brenda distancës 500 - 600 metra funksionojnë edhe dy të tjerë. Më tutje janë ndërtuar 6 copë të tjerë në rrugën Shkozet - Sukth nga ana e Shijakut. Ndërsa që nga Ura e Dajlanit e deri në Maminas funksionojnë plot 18 distributorë të cilët janë ndërtuar në të dyja anët e rrugës Durrës - Tiranë. Një rrjet tjetër distributorësh është ndërtuar në rrugën e Ndroqit. Që nga Plepat e deri në Rromanat janë ndërtuar 6 distributorë dhe në proces janë edhe 2 të tjerë, pa llogaritur ato që janë ndërtuar në territorin e Tiranës. Ndërkohë, në të gjithë rrethin e Durrësit janë ndërtuar deri tashti 46 copë distributorë.

Mungon studimi

Në institucionet e pushtetit vendor në Durrës nuk ekziston asnjë studim (por edhe nga Ministria e Energjitikës) për strategjinë e këtij biznesi. Vetëm në mbledhjen e fundit të KRRT-së së Bashkisë së Durrësit u dhanë dy leje për ndërtime distributorësh në një kohë që KRRT-të e komunave dhe bashkive të nivelit të dytë e të tretë në rrethin e Durrësit nuk e kanë kursyer dorën për dhënien e lejeve të ndërtimit për këtë lloj biznesi të kushtëzuar më parë nga lëshimi i licencave ushtrimin e tij nga ana e ministrisë përkatëse.

Një situatë e tillë ka krijuar kaos në këtë veprimtari e cila ka ndikuar në uljen e xhirove të punës për një numër të madh pikash të tilla. Kurse specialistë kësaj fushe, deklarojnë se vendet e BE-së e kanë të përcaktuar numrin e tyre në bazë të flukseve të automjeteve”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›