Ministria e Brendshme: Dublikatat, 50 mijë dhe jo 100 mijë
Ministria e Brendshme ka reaguar pas pretendimeve të Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Në një njoftim për shtyp, ky institucion deklaron për opinionin publik se gjithçka po ecën sipas plan-kalendarit dhe parashikimeve për procesin. “Dëshirojmë të sqarojmë ndërkohë opinionin publik edhe në lidhje me pretendimin e PS-së për numrin e shtetasve që figurojnë të dubluar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, - thuhet në njoftim. Sipas kësaj ministrie, numri i shtetasve që figurojnë të dubluar në regjistër, është 50 392 dhe jo 100 mijë, siç u deklarua në selinë e Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, theksohet edhe një herë se është pikërisht formati elektronik i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që siguron një numër të veçantë identifikimi për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, ministria sqaron se nga numri personal që i jepet çdo shtetasi përcaktohet saktësisht se sa dublikime ka në regjistër dhe ku ndodhen ato. Ky dikaster thekson se puna për pastrimin e këtyre dublikimeve vazhdon pa ndërprerje dhe do të përfundojë brenda tri javësh.