Gjykata lë në fuqi vendimin e Konkurrencës për gjobën ndaj AMC-së
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur dje të rrëzojë kërkesëpadinë e Albanian Mobile Communication me objekt “Konstatim i Pavlefshmërisë dhe/ose anulimi tërësisht i vendimit nr. 59 datë 09. 11. 2007 të Komisionit të Konkurrencës “Për Abuzim me Pozitën Dominuese në Tregun e Telefonisë së Lëvizshme të Shoqërive Albanian Mobile Communication SHA dhe Vodafone Albania SHA”, për pjesën që ka të bëjë me shoqërinë AMC”. Sipas vendimit nr. 59 të datës 09.11.2007 të Komisionit të Konkurrencës, shoqëritë AMC sh.a dhe Vodafone sh.a kanë abuzuar me pozitën dominuese duke vendosur çmime të padrejta në tregun e telefonisë së lëvizshme gjatë periudhës objekt-hetimi (2004, 2005). Për shkeljen e konstatuar, shoqëritë AMC sh.a dhe Vodafone sh.a janë gjobitur me 2 për qind të xhiros vjetore të produktit përkatës të vitit 2005, që e shprehur në vlerë është respektivsht 211 552 000 lekë dhe 242 633 000 lekë.
Ndërkohë, edhe shoqëria Vodafone Albania sh.a ka ngritur një padi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë çështje dhe vazhdojnë procedurat gjyqësore. Teksti i plotë të vendimit të Autoritetit të Konkurrencës “Për Abuzim me pozitën dominuese në Tregun e Telefonisë së Lëvizshme të Shoqërive Albanian Mobile Communication sh.a. dhe Vodafone Albania sh.a.”