E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Libri i ri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime”

Libri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime” e José Luis Gonzales-Balado, është një autobiografi që Nënë Tereza nuk e ka shkruar kurrë, por që e ka thënë në mënyrë spontane në rrethana të ndryshme, në formën e një dëshmie të dashurisë që donte të shprehte për Jezu Krishtin, nëpërmjet shërbimit për të Varfërit e tij. Disa rrëfime dalin nga letrat dhe porositë për vajzat e saj, Misionaret e Bamirësisë, ose bashkëpunëtoreve të veprës së saj. Por pjesa më e konsiderueshme e librit ka dalë nga bashkëbisedimet dhe intervistat e shumta që ka lënë Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj.
Janë shkruar shumë libra për figurën e Misionares së Bamirësisë, më e madhja e shekujve të fundit, për të mos thënë më e madhja e të gjitha kohërave, por kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse është e jashtëzakonshme dhe shumë e madhe vepra dhe dëshmia njerëzore e shërbimit për ata që ajo i quante “më të Varfërit mes të varfërve”, në të cilët pati besimin e madh për të parë tek ata mishërimin e Jezusit. Një besim i tillë e drejtoi atë për t’i shërbyer me një zemërgjërsi që e bëri të harronte dhe veten e saj, duke e bërë të lumtur, me një lumturi komplet të brëndshme dhe të heshtur.
Është rasti për t’i qënë mirënjohës Papa Gjon Palit të dytë, për vullnetin e tij, gati me urgjencë, për të shpallur bekimin e Nënë Terezes. Shënjtërimi i saj kërkon kohë më të gjatë, por shumë gazeta të mirënjohura të botës, edhe pse në mënyrë metaforike e kanë shpallur me kohë Shenjtja Nënë Tereza.
Kur në 1979 mori çmimin Nobel për Paqen, dy gazeta prestigjoze italiane përdoren titujt “Nobelin për një Engjell”, dhe “ Kanë vlerësuar mirësinë dhe shenjtërimin”. E konsideronin shenjte edhe e përditshmja “ Neë York Times”, që foli për të si për një “secular saint”, dhe e përjavshmja franceze “L’Expres”, në një titull e konsideronte “Shenjtja Tereza e Kalkutës”. Një tjetër e përjavshme, edhe ajo franceze, “Paris-Match”, duke folur për të, pothuaj njëzet vjet më parë, titulloi kështu një reportazh të gjatë të shkruar nga esperti i argumentave religjoze, Robert Serrou: “Ka akoma Shenjtë”. Katër vjet përpara Nobelit për Paqen, në numerin e fundit të 1975-s, gazeta nordamericane “Time”, vendos Nënë Tërezën në kopertinë, duke anonçuar një shkrim pesë faqesh (31-35). Në kopertinë prezantohej Nënë Tereza si një “living saint” (një shenjte e gjallë), dhe shkrimi në brendësi shpjegonte pse konsiderohej e tillë.
Thirrja ime prej Zotit dhe Familja ime
Jam lindur në Shqipëri.
Për gjak dhe origjinë jam shqiptare.
Kam nënshtetësi indiane.
Jam një besimtare katolike.
Për nga përkushtimi i im, i përkas të gjithë botës.
Zemra e ime i përket komplet Jezusit.
Jam lindur në Shkup (Albania) në 1910.
Babai im kishte një dyqan të vogël materialesh ndërtimi.
Ishim dy motra e një vëlla.
Kanë vdekur që të dy.
Ishim një familje shumë lumtur dhe e bashkuar.
Unë nuk jam veçse një lapës i vogël në duart e Zotit.
Është Ai që shkruan.
Është Ai që mendon.
Është Ai që vendos.
E përsëris: nuk jam veçse një lapës i vogël.
Isha akoma shumë e re- kisha vetëm dymbëdhjetë vjeç- kur në gjirin e familjes sime, ndjeva për herë të parë dëshirën për t’i përkitur komplet Zotit.
Kam reflektuar sipër, me lutje, për gjashtë vjet.
Ndonjëherë, kisha përshtypjen që thirrja e ime nuk ekzistonte.
Megjithatë, erdhi momenti që u binda se Zoti më kishte thirrur.
Qe Zonja e Letnices që ndërhyri për mua dhe më ndihmoi për të zbuluar thirrjen për përkushtim.
Në momentet e pasigurisë, për sa i takon përkushtimit tim, ishte një këshill i nënës sime, që u tregua shumë i dobishëm.
Më thoshte shpesh:
“ Kur pranon një detyrë, mbaje deri në fund me gëzim. Përndryshe mos e prano.”
Një herë i kërkova një këshillë drejtorit tim shpirtëror, përsa i përket thirjes sime nga Zoti për devotshmëri.
E pyeta: “ Si mund ta di se Zoti më thërret dhe me çfarë më thërret?”
Do ta kuptosh nga lumturia e jote e brendshme. Nëse ndjehesh e lumtur me idenë se Zoti të thërret për t’i shërbyer Atij dhe të afërmin tënd, ajo do të jetë prova e përkushtimit tënd. Gëzimi i thellë në zemër është si një busull që të tregon shtegun që duhet të ndjekësh në jetë. Duhet t’a ndjekum, edhe atëherë kur kjo busull na drejton në një rrugë plot me vështirësi.
Një familje shumë e lumtur
Ishim një familje shumë e lumtur.
Ishim shumë të bashkuar, veçanerisht mbas vdekjes së babait tonë. Jetonim të bashkuar njëri me tjetrin, dhe secili kishte si interesim kryesor për të bërë të lumtur anëtarët e tjerë të familjes.
Veçanerisht, më kujtohet nëna e ime.
Ishte përherë shumë e zënë gjithë diten.
Pavarësisht kësaj, kur bëhej darkë, shtonte ritmin e aktivitetit me qëllim me kenë gati me e pritë babain tonë.
Atëherë nuk arrija t’a kuptoja.
Buzëqeshnim dhe qeshnim me të, nganjëherë duke bërë shaka.
Tani e kuptoj se sa e madhe dhe delikate ishte dashuria që kishte për të.
Nuk kishte rëndësi ajo që kishte për të bërë: ishte përherë e gatshme me e pritë me gjithë përzemërsi.
Po, nëna ime ishte një grua e shenjte!
Kërkonte të edukonte fëmijtë e saj me dashurinë për Zotin dhe për të afërmin.
Bënte çdo sforcim me qëllim që të rriteshim të bashkuar e të donim Jezusin.
Ishte ajo vetë që na përgadiste për Kungimin e Parë.
Qe vetë nëna e jonë që na mësoi që të donim Zotin mbi gjithçka tjetër.
I Përkas Krishtit
Në 1948, pas njëzet vjet qëndrim në Indi, vendosa për një kontakt më të afërt me të varfërit e të varfërve.
Për mua bëhej fjalë për një thirrje të veçantë për të hequr dorë nga gjithçka e për të qënë komplet pjesë e Krishtit.
Ndodhi një ditë , ndërsa po shkoja drejt Darjeeling për ushtrimet shpirtërore.
Ndjeva një thirrje brenda përkushtimit tim.
Ndjeva që Zoti dëshironte diçka më tepër nga unë.
Për mua mesazhi i tij ishte i qartë: duhej të lija konventën e të punoja për të varfërit duke jetuar në mesin e tyre.
E dija ku më thërrisnin; nuk dija si të arrija.
Zoti dëshironte që unë të isha e varfër me të varfërit e t’a doja në dhimbjen e ngjashme të të varfërve më të varfër.
Mund të mbeshtetësha në bekimin e bindjes.
Mbasi i tregova rastin tim drejtuesve të Kongregacionit dhe arqipeshkvit të Kalkutës, ata e kuptuan që bëhej fjalë për vullnetin e Zotit, e që ishte Zoti që e dëshironte.
I shkruajta drejtueses së përgjithshme duke i thënë se Zoti më kërkonte për Vete nëpërmjet shërbimit të të varfërve më të varfër të periferive.
Mora kështu një bekim: bekimin e bindjes.
Dashuria e ime për Krishtin ishte thelluar në virtytin e këtij sakrifikimi të madh.
Ky është motivi që unë flas për një “thirrje brenda thirrjes”.
Thirrja e ime, nuk ishte tjetër veçse një përzgjatje e përkatësisë sime për Krishtin, duke qenë vetëm e tij.
Përgatiti Aleks Kapllaj

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›