E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini demaskon lidhjen e tij me Bamir Topin

Presidenti i republikës ka mbetur njeriu i fundit që mund ta ndihmojë Edi Ramën të mos dalë përfundimisht nga politika dhe t’u dorëzohet organeve të drejtësisë për dhjetëra akuzat që rëndojnë mbi të. Zyra e prokurores Ina Rama u përdor gjatë kongresit socialist për të shantazhuar rivalët e Edvinit dhe pritet të shërbejë edhe më tej si pjesë e një marrëveshjeje të poshtër që do të njollosë zgjedhjet e 28 qershorit dhe do ta rendisë Bamir Topin si njeriun e Ramës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Gazeta “55” ka qenë e para që ka denoncuar këtë ujdi antishtetërore dhe do të vijojë të luajë rolin e vet si demaskuese e këtyre kontratave të pandershme, por u përket politikës dhe institucioneve të ndalin vënien në jetë të pazareve që na kthejnë prapa, në kohën e pazareve bizantine

Edi Rama dekonspiroi në fjalimin e tij stalinist në kongresin e zi të 29 gushtit planin në shkallë të gjerë që ka ndërtuar me Bamir Topin, në mënyrë që të kalcifikojnë sa të munden pushtetet, politike, institucionale dhe okulte që gëzojnë për momentin – merret vesh - për arsye jo fort politike. Edi Rama njoftoi se kishte bërë gati dosjen me ato që i quan “manipulime në shkallë të gjerë të zgjedhjeve të 28 qershorit”, ndërkohë që u thotë “kongresmenëve” të vet se s’ka dyshim se presidenti i republikës do të mund të jetë në lartësinë dhe në përgjegjësinë që i kërkon detyra.
Në fakt, kryetari mandatprerë i PS-së, i cili me dhunë dhe me hile po kërkon të rikonfirmohet deri në 2013-n, pa i dhënë pikë rëndësi testit elektoral të vendore të 2011-s, ka të gjithë historinë e duhur për të besuar se Bamir Topi dhe presidenca e tij do t’i dalin në krah në këtë moment të vështirë ku ai ndodhet. Presidenca i është gjendur më herët kur opozita e tij ishte pa pikë ideje, pa personalitet dhe pa asnjë mundësi për t’u faktorizuar, teksa i ka ofruar atij në një pjatë argjendi të gjithë arsenalin informativ që ajo gëzonte (për shkaqe institucionale) për sjelljet dhe prognozat e politikës së Sali Berishës. Dhjetëra fushata shpifjesh e manipulimesh mediatike e kanë zanafillën pikërisht tek këto darovitje që nga institucioni i presidencës pasoheshin tek korrierët e Edvinit. Numërimet s’kanë nevojë, pasi tashmë ky bashkëpunim është objekt i opinionit publik, por e reja e deklaratave të pardjeshme të kryetarit mandatprerë ishte thirrja - por edhe garancia - se Bamir Topi dhe instanca e tij vegël, Prokuroria e Shtetit, do të përdoreshin jo vetëm si killera politikë kundër qeverisë shqiptare dhe Sali Berishës personalisht, por edhe kundër rivalëve të rinj që atij i kanë dalë brenda strukturave socialiste, gjatë këtyre dy muajve të fundit.
Nëse presidenti Topi ka heshtur si fija e barit këto dy muajt e fundit, duke mos dhënë asnjë prononcim apo qendrim zyrtar për zgjedhjet e 28 qershorit, kur për rëndësinë dhe cilësinë e tyre janë shprehur forume të rëndësishme ndërkombëtare vendimmarrëse, kjo s’do të thotë që zyrat e Bamir Topit dhe ajo e prokurores së përgjithshme kanë qenë inerte. Përkundrazi! Cilësia e zgjedhjeve duket se s’u ka pëlqyer asnjërës nga zyrat, ashtu siç nuk i ka pëlqyer as Edvinit, por dy muajt u bashkëshoqëruan me heshtje nga të dyja palët (Topi+Ina Rama dhe Edvin Rama), heshtje prej nga u poll edhe skema e reagimit. Përdhosja me heshtje e zgjedhjeve më të mira që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë u pasua me ndërhyrjen flagrante në përplasjen brenda Partisë Socialiste. Vetë Prokuroria u “përkujdes” që shpifjet për pasuritë e rivalëve të Edvinit; Ben Blushi e Arben Malaj, të publikoheshin veç një ditë para kongresit, ndërkohë që janë dhënë sinjalet (dhe ekzistojnë edhe indiciet) për një bashkëpunim të frikshëm edhe gjatë muajit shtator, kur Ramës i duhet që të kryejë likidimin e grupit të ri armiqësor që po zbulohet brenda partisë.
Bamir Topi është limani i fundit shpëtues për Edvinit. Ai mund të ankorohet veç aty, pas izolimit final ndërkombëtar, pas dështimit masiv e të shpeshtë në qeverimin e Tiranës, pas armiqësimit final me shoqërinë civile dhe partnerë të hershëm të tij në politikë, por pas humbjes së 28 qershorit, ndihma e Bamir Topit është e mirëpritur dhe vendimtare që ai të mbetet në politikë e të mos u dorëzohet organeve të drejtësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e ka dhënë gjithë kohën mbështetjen e vet, duke i zhytur edhe më thellë në harresë dosjet e shumta për abuzimet me detyrën, që akuzohet Edvini, por tashmë kriza është e thellë dhe mbështetja e presidentit të republikës duhet hapur. Edvini s’ka rrugë shpëtimi dhe është i detyruar që t’i dorëzojë Bamir Topit dosjen me “manipulimet” e 28 qershorit. Deri më tani, presidenti ka heshtur, a thua se zgjedhjet nuk ishin bërë në shtetin të cilin ai drejton – si prerogativë kushtetuese – por në ndonjë land zulush në Afrikë. Heshtja i jep presidentit Topi mundësinë që të shprehet për “parregullsitë” e zgjedhjeve, një tjetër as nën mëngë që legjitimon rizgjedhjen skandaloze të Edvinit në krye të PS-së. Topit nuk i intereson as futja e parlamentit në krizë, as bojkoti i tejzgjatur, as ndërhyrja në punët e brendshme të një partie politike (zaten për dy parti politike, pasi për simetri, ai po ndërhyn edhe në punët e brendshme të PD-së). Atij i intereson veç mandati i tij i dytë në presidencë, mandat që mund t’i garantojë një mbytje të polemikave për kontributin e tij në shkatërrimin institucional të sistemit të drejtësisë, posaçërisht në rrënimin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm, por edhe që do tëe fashiste polemikat rreth jetës së tij private, pasurisë së trashëguar e asaj të siguruar, por në mënyrë përfundimtare edhe do t’i garantonte staturën e dëshiruar për moshën e tretë.
Ky bashkëpunim i neveritshëm u demaskua dy ditë më parë nga Edvin Rama dhe Bamir Topi, me heshtjen e tij veç sa e konfirmon përditë. Gazeta “55” ka qenë e para dhe pioniere në shtypin shqiptar që ka denoncuar imoralitetin e kësaj marrëdhënieje dhe dy ditë më parë edhe e rinovoi alarmin, përmes apelit se Bamir Topi po ndërhynte në përplasjen politike brenda Partisë Socialiste.
Tani jemi shumë larg në fazën e identifikimit të këtij bashkëpunimi imoral. Jemi në fazën e terapisë dhe si media, i pari dhe i vetmi mjet që na mbetet është demaskimi. Fazat e tjera janë detyrë e politikës dhe e institucioneve (në qofshin aq të ndershme e aq të shëndetshme).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›