Vëzhgim/Kurba politike e Edi Ramës, nga “pse s’më blini?” tek “pse s’më takoni?”

Kryetari i Partisë Socialiste ka dilema të forta nëse duhet apo jo, të bëhet pjesë e diskutimeve që tashmë mazhoranca i ka nisur, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në dukje kontradiktore, pasi vetë kryesocialisti ka bërë thirrje për gjithëpërfshirje dhe kushtetueshmëri, por që dje as njërën prej tyre nuk pranoi. Jo pak herë Edi Rama kishte paralajmëruar se do refuzonte dialogun për zgjedhjen e presidentit, nëse procesi do të shkonte përtej rolit të tij dominant. Tentativat e pastra për bllokimin e reformës zgjedhore dhe spostimi i silurës destruktive për tek çështja e zgjedhjes së presidentit, me akuza flagrante dhe qesharake se 2-3 deputetë të opozitës për pak ranë në “grackën” e shit-blerjes së votave të “Presidentit”, kishin për qëllim rritjen e përqindjeve të influencës politike të Edvinit dhe nga kjo domosdo që do prodhohej një ribllokim i procesit, këtë herë me përmasa vërtetë serioze. Si pasardhës i ‘njerëzve të bllokut’, përfaqësuesi i denjë i nomenklaturës enveriste, s’e ka për gjë të vendosë në funksion të ambicieve të tij personale, çdo mekanizëm që do bllokonte zgjedhjen e presidentit, reformën zgjedhore si dhe sigurisht, bllokimin e integrimit edhe për këtë vit. Shqetësimi i djeshëm i tij, erdhi pas deklaratës së kryeministrit Berisha i cili shprehimisht tha se “PD ka mandatuar përfaqësuesit e saj për konsultat (madje dhe me opozitën) dhe se nuk është i domosdoshëm një takim i tij me Edi Ramën. Normalisht që Edi Rama ka një ëndërr, sado teatrale që mund të duket ajo..., ai ëndërron të (mos)qënurit lidership dhe faktor vendimmarrës. E vuan thellë faktin se ai nuk është zë i parë i së majtës politike. Kjo çon në depresionin stres ndjellës që kalon përmes rrjetit social Tëitter, por mbetet thjesht aty..., Edi Rama është po i njëjti, pra jo-lidership. Gjithsesi, evoluimi i tij është i kuptueshëm nga deklarata e para 2 javëve se, “pse 2-3 deputetë të opozitës po “blihen” dhe mua s’po më ofrohet askush për të më blerë..., tek stadi pasardhës pse Gramoz Ruçin do e takoni, ndërsa mua Jo”. Herën e parë u ankua se s’po shkonte njeri ta blinte, dje shprehu zemërimin se pse Berisha nuk shkon ta takojë. Në të gjitha rrethanat Edi Rama është i humbur, por kjo s’do pengojë konsultat për gjithëpërfshirjen dhe kushtetueshmërinë e presidentit të ardhshëm.