E Shtunë, 31 Tetor 2026

“T’u japim shqiptarëve një president dinjitoz”

26-05-2012 / Gazeta 55

Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh dje pas takimit me kryeministrin Berisha, se nuk është diskutuar për emra konkrete, por ajo që dominon është filozofia e mazhorancës për një president të gjithëpranuar. “Duam një president konsensual, mundësisht që në raundin e parë. Duhet të shkojmë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Një president konsensual do t’i shërbejë marrjes së statusit”, u shpreh Idrizi, i cili theksoi se për PDIU-në ka rëndësi që presidenti ardhshëm duhet të shprehet qartë për çështjen çame.
Sipas tij, ky është një diskutim i vazhdueshëm që ne e kemi bërë edhe me opozitën, në mënyrë që më në fund klasa politike shqiptare të mos prodhojë vetëm kriza, por mbi të gjitha të ketë maturinë për të absorvuar këto kriza dhe për t’i dhënë shqiptarëve një president dinjitoz.
“Ne parashtruam pozicionet tona. Padyshim ne duam që të kemi një president që të mbajë qëndrime të forta patriotike dhe kombëtare, ashtu sikurse nëse Presidenti i ardhshëm do të kërkojë votat e PDIU-së duhet të shprehet qartë dhe saktë për çështjen çame”, tha Idrizi. Për sa i përket emrave konkretë, ai u shpreh se, “është absurde të paragjykojmë palët, pasi si PD edhe PS, apo në tërësi klasa politike shqiptare, kanë personazhe të tilla që kanë treguar se kanë integritet moral dhe politik, që kanë treguar se kanë staturën e duhur publike që të shërbejnë në pozicionin e Kreut të Shtetit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›