Rama e pagëzon Mjaft-in FRESSH
Mbyllet faza e privatizimeve të strukturave socialiste. Mjaft-i merr nën kontroll forumin rinor, duke shpallur njëkohësisht edhe mohimin e historisë së tij 20 vjeçare për reformimin e së majtës. Tashmë personalitetet e vjetra të kësaj partie s’kanë më lidhje me lukuninë që këtej e tutje do veprojë si establishment anarkist, sa herë jopolitikani Edi Rama do mbetet në baltën e vendimeve pa kurrfarë perspektive
Në lajme lart e poshtë, intervista dhe kronika të PS-TV, media të (pa) varura nga PS, të shkruara apo vizive, Erion Veliaj ka zënë një vend të rëndësishëm, në organizimin e ceremonisë festive në 20 vjetorin e themelimit të Forumit Rinor të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kuptohet, s’mund të flitet për një moment të denjë dhe festiv, pasi situata është sa e zymtë aq edhe blozë.
Sot, FRESSH do përfaqësohet nga ish Mjaft-istë që dikur luftuan PS-në dhe ish 99-sha të cilët u integruan në PS, për të larguar themeluesit dhe reformatorët. Përfundimisht vlerat e FRESSH kanë rënë në dorë të Erion Veliajt, Arbër Maznikut, Endri Fugës, Olta Xhaçkës apo dhe Elisa Spiropali. Në krye të këtij formacioni ç’integrues, qëndron uzurpatori i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Pasi ka humbur 3 palë zgjedhje, pengmarrësi është zotuar për një betejë të fundit, por si gjithmonë, edhe po humbi s’do japë dorëheqje nga drejtimi i PS-së. Këtë ia garanton shpura klienteliste që ka emëruar në PS, servilë dhe hispanikë që kanë zhbërë meritokracinë për nepotizmin dhe klientelizmin e lidershipit socialist. Kur rrethi është kaq i ngushtë dhe i fortifikuar me anti-vlerën, kulti i individit bëhet gjithnjë e më i sigurt, penetrimi i socialistëve të thjeshtë është i padobishëm, për të mos thënë in-ekzistent. Shumë kush do mundohet të shohë themeluesit e FRESSH, ata të e drejtuan dhe demokratizuan në përputhje me zhvillimet pro-evropianizuese të Shqipërisë nga Ilir Meta, Pandeli Majko, Monika Kryemadhi apo Gjergj Koja.
Jo, gaboheni!
Sot nga Pallati i Kongreseve do kremtohet 20 vjetori i themelimit të forumit socialist, por s’do flitet aspak për themeluesit. Do vlerësohet FRESSH-i si e vetmja strukturë rinore e një force politike, me një histori të pasur, por s’do flitet se kush e pasuroi këtë histori dhe kush e lartësoi FRESSH-in në një Forum Rinor Partiak, të denjë dhe funksional sipas modeleve perëndimore.
Ilir Meta është shpallur ‘non-grata’ nga pengmarrësi i socialistëve, Monika Kryemadhi po ashtu (drejtuese e FRESSH për disa vite), Pandeli Majko është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shpresën se do shpëtojë nga politika-diktat i enveristit të ri në PS, Gjergj Koja ish drejtues i FRESSH dhe një nga figurat kontribuuese të tij, është zhbërë tërësisht dhe as denjohet të flitet në ambientet e selisë rozë.
Kjo është situata që do karakterizojë sot kremtimin e 20 vjetorit të FRESSH-it. Dukshëm e brishtë, por po aq të brishtë janë dhe ata që po përvetësojnë punën e të tjerëve. Përvetësim që nuk lindi në tjetërsimin e FRESSH-it, por e ka zanafillën te “pushtimi” i PS-së 6 vjet më parë, nga ish klani i bashkisë me Ramën në krye. Pengmarrësi i socialistëve po shkel në llumin që ka gatuar ndër vite, por privatizimin e PS-së po e vazhdon me të njëjtin intensitet që kooptoi lidershipin politik të saj.
Erion Veliaj, i ardhur në PS si “hajduti pas dere”, ka guxim të madh të marrë përgjegjësitë politike të strukturës rinore të PS-së, duke shmangur në mënyrë të turpshme themeluesit e FRESSH, personalitetet që e drejtuan me për vite me radhë duke filluar nga procesi i transformimit dhe demokratizimit të Partisë Socialiste.
Elisa Spiropali sot luan rolin e “kryetares” së forumit socialist, por atë s’e lidh asgjë me “historinë e pasur” të FRESSH-it, pasi ajo është një ish Mjaft-iste.
Arbër Mazniku dhe Endri Fuga, dy këshilltarët personalë të dyshes Rama-Veliaj, kanë po aq lidhje me PS-në dhe FRESSH-in sa kanë me vlerat demokratike dhe meritokracinë.
Këta përbëjnë modelin më të pisët të koordinatorëve të “rinj” politik, qylaxhinj dhe servilë të interesave financiare nga fondet sorosiane e deri te përfitimet e dyshimta të klanit që deri dje drejtoi bashkinë e Tiranës.
L. Q.