E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Këshilltari i Ramës, Fate Velaj i diplomuar në universitetin Kristal në vitin 2011

03-09-2013 / Gazeta 55

Në moshën 48 vjeçare, miku i Edi Ramës është diplomuar në Universitetin “Kristal” për marrëdhënie ndërkombëtare, pasi sipas skemës së pushtetit privat, ai do të duhej të merrej me çështje diplomacie, e jo më me kurse arti, si ai që kreu në Vjenë në vitin 2006, në moshën 43 vjeçare. Me këto kredenciale “akademike”, Fate Velaj pretendon të instalojë një politikë kulturore, sipas parimit “piktori emëron piktorin e dështuar si diplomat”

Fate Velaj do të jetë këshilltari për diplomacinë kulturore i kryeministrit në ardhje, Edi Rama. Lajmin e konfirmoi vetë Rama në faqen e tij në “Facebook”, që i bëri edhe një biografi të arsimimit të Fate Velaj. Edi Rama harroi të përmendte faktin që Fate Velaj  ka bërë shkollën e Lartë në moshën 48 vjeçare dhe jo ndonjë universitet Europian, por në një universitet privat shqiptar aq shumë të atakuar nga kryesocialisti gjatë fushatës elektorale. Dhe kjo flet shumë për karakterin “endacak”, as Kjo vërtetohet fare lehtë në faqen zyrtare të Fate Velaj.com ku del se është diplomuar për “Marrëdhënie ndërkombëtare” me një tezë prej 73 faqesh të rëndomta ku flitet për kronologjinë e marrëdhënie Shqipëri-BE, e cila fare lehtë mund të gjendet në faqet zyrtare të ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit  dhe nuk ishte nevoja për një temë diploma.
Gjithsesi ajo që na intereson më shumë është diplomacia kulturore që do të bëjë Fate Velaj për kryeministrin e ri Edi Rama. Maksimumi i punës artistike e zotit Velaj është magazinimi i artit në pavijone me ajër të kondicionuar dhe nuk dihet se çfarë diplomacie do të bëjë një magazinier. Seminari që ka bërë me menaxhim-magazinim arti nuk mund të shërbejë për curriculum vitae. Maksimumi i Artit të tij është bashkëpunimi me kryebashkiakun çifligar Baftjar Zeqo në Fier, me të cilinë ka bërë një glob qesharak me qindra mijë euro.     
Sidoqoftë kabineti “Rama” në tërësinë e tij njihet për një amatorizëm të theksuar, paaftësi dhe mungesë përvoje në punët shtetërore. Sikurse, i njëjti standard amatorizmi po shoqëron edhe rrethin e këshilltarëve të ngushtë pranë tij, duke rreshtuar lloj- lloj të dështuarish që ‘suksesi’ i vetëm i tyre ka qenë servilizmi. Miqësia e tij me Ramën nuk është surprizë, pasi bashkëpunimi i tyre është i hershëm dhe Fatja ka qenë disa herë organizator i konferencave të Ramës në Vjenë dhe rasti më i fundit është ai që prodhoi incidentin me diplomatin shqiptar atje, Egin Ceka. Fate Velaj, njihet në media jo për ndonjë vepër me nam, por për namin e zi që la në kryeqytetit e Austrisë, duke mbrojtur arrogancën agresive të punëdhënësit të tij. Dhe Rama e shpërbleu dëshmitarin e rremë të incidentit të Vjenës dhe konfirmoi amatorizmin dhe endacakllëkun si yll polar të qeverimit të tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›