Berisha bashkëbisedon me fermerët në Elbasan: Bujqësia, themelore për zhvillimin e vendit - do rrisim investimet nga 57 milionë në 156 milionë dollarë
Kryeministri: “Bizneset e emigrantëve 3 deri në 5 vjet pa taksa”
Pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha udhëtoi drejt Elbasanit ku zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë e përfaqësues të agrobiznesit në Gjergjan. “Vij për t’iu dëgjuar me interes të gjitha mendime, sugjerimet, kritikat, propozimet, me qëllim që të pasurojmë programin tonë. Ju garantoj se ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që ju të prodhoni, të fitoni dh të begatoheni më shumë”, u shpreh Berisha, në nisje të bisedës. Për qeverinë, sipas tij, bujqësia dhe degët e saj, zhvillimi i tyre, janë themelore për zhvillimin e vendit. “Nuk e imagjinojmë dot një Shqipëri të zhvilluar me fshat të pazhvilluar. Me këtë projekt në këto vite ne e kemi përqendruar investimin me mbi 60 për qind vetëm për infrastrukturën rrugore si kusht themelor për biznesin tuaj”, vuri në dukje Berisha. Por në katër vitet që vijnë investimet nga 57 milionë dollarë që janë akorduar deri më tani do të kalojë në 156 milionë dollarë. Ndërkohë që thirrja për mbjelljen e ullinjve nuk mungoi as në këtë takim. “Kemi mbjellë 1540 ha ullishte. Ulliri më i sigurti për t’u lënë nipërve dhe stërnipërve tanë. Jemi vend me ulli. Kemi bërë studime për këtë. Mund të mbjellim deri në 50 milionë rrënjë ulli. Nuk do ndalemi për këtë. Fermerët mbjellin 4 herë më shumë me fondet e tyre. Kemi subvencionuar 50 ferma me lopë race për qumësht. Do fusim mishin. Do përpiqemi që gjithë shqiptarët të përdorin vaj ulliri, të kapim tregun e Kosovës, Maqedonisë”, vlerësoi Kryeministri. Gjithashtu, një tjetër projekt, me të cilin qeveria synon të lehtësojë sipërmarrjen, ka në fokus emigrantët. Berisha garantoi hartimin e një kuadër ligjor për të çliruar nga 2 deri në 5 vjet të nga taksat për emigrantët të cilët kërkojnë të hapin një biznes në Shqipëri. “Po përpunojmë një kuadër të plotë ligjor për emigrantët. Emigrantët që vijnë në Shqipëri 3-5 vjet biznesi i tyre të çliruar nga çdolloj takse. Sipas projekteve do të zbusim kredinë. Ndërhyjmë për të ulur përqindjen e pagesës së bankës. Çdo material, që importon nga jashtë një emigrant do jetë pa TVSH, pa 20%. Punëtorët e rinj për 3 vjet pa asnjë detyrim për sigurime shoqërore. Akciza, nëse përdoret nafta, do rimbursohet para në dorë”, premtoi Berisha.
...