E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit: KQZ po dëmton procesin zgjedhor

“Ne jemi të mendimit se KQZ po vepron në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me etikën e detyrueshme për funksionimin e organeve të administratës publike dhe për pasojë vendimet e saj janë jo vetëm të kundraligjshme, por edhe  të pa besueshme për paanësinë e tyre”, thuhet në një njoftim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ajo çka shohim që po ndodh në KQZ, në këtë fazë përmbyllëse të zgjedhjeve vendore të dt.18 Maj 2011, nuk tregon përgjegjegjshmëri në lidhje me fatin e të ardhmes demokratike të vendit dhe  nuk i shërben  besueshmërisë së publikut dhe të faktorëve ndërkombëtare për këto zgjedhje”, thuhet më tej. Ky grupim, duke ndjekur veprimtarinë e KQZ-së arrin në përfundimin se ai nuk po zbaton me rigorozitet Kodin Zgjedhor. “Çdo vendim i KQZ-së në lidhje me vlefshmërinë e votave, në këtë fazë të procesit, do të duhej të kishte karakter normativ sepse fenomeni i hedhjes se votës ne kutinë e gabuar nuk është një çështje vetëm për Tiranën por për gjithë vendin”, vijon reagimi.

“KQZ është e detyruar të zbatojë ligjin, si çdo pushtet e organ në Republikën e Shqipërisë, prandaj duke luajtur rolin e KZAZ-së për Bashkinë e Tiranës, siç pretendon në aktin e vet të fundit për vlerësimin e fletëve të kontestuara, ende të pashpallur publikisht,  duhet të veprojë në përputhje me pikën 4 të nenit 118, në të cilin sanksionohet se  KZAZ-ja (në rastin tonë KQZ-ja) bën vlerësimin në çast, të secilës fletë votimi të kontestuar dhe merr vendim në lidhje më të. Çdo veprim i KQZ-së i kryer pasi rezultati është marrë dhe shpallur nga KZAZ-ja përkatëse është i kundraligjshëm dhe në dëm të besueshmërisë së procesit të numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit objektiv dhe të besueshëm”, thuhet gjithashtu në reagimin e grupit të Vëzhguesve Vendorë.

Në këtë grupim, bëjnë pjesë Komiteti Shqiptar i Helsinkit,  Lëvizja Europiane ne Shqipëri, Lëvizja ”Mjaft", Instituti “Agenda”, Qendra Alenanca Gjinore per Zhvillim, Andrea Stefani, Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano, Delina Fico, etj.

 /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-20 09:00
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›