E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrava qiradhënësin se më nxiu jetën

Banesa ku ndodhi vrasja në Tiranë

Ai më ka provokuar shumë herë që unë të kaloja në ekstrem. Me vjen shumë keq. Nuk doja që të ndodhte kjo që ndodhi. Nuk di çfarë mendimi ka ai, por më ka provokuar.Ylvi Kodra, 61-vjeçari që vrau me thikë pronarin e banesës ku jetonte me qira pranë 21 Dhjetorit në Tiranë, pranoi dje në gjykatë autorësinë e krimit të pak ditëve më parë. Ai shfaqi pendesë për ngjarjen dhe me sy të lotuar rrëfeu në mënyrë të përçartë para gjyqtarit të gatshëm, Agron Zhukri, se përse qëlloi për vdekje Sami Kapllanin paraditen e së hënës. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e organit të Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj 61-vjeçarit. Sipas aktakuzës së lexuar nga prokurorja, Ylvi Kodra, akuzohet për vrasje me dashje, pasi ditën e hënë, pas një zënke të çastit, ka qëlluar me thikë shtetasin Sami Kapllani. Avokati mbrojtës i Kodrës, pretendoi mundësinë e çrregullimeve mendore të të pandehurit. Avokati konfirmoi kërkesën e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të arrestit për Kodrën dhe caktimin e një mase shtrënguese ndaj tij.
ALIBITE
I çuar në këmbë në kafazin e sallës së gjyqit, Ylvi Kodra tha dje se ishte provokuar disa herë nga viktima që ai të kalonte në ekstrem. Duke folur në mënyrë të çrregullt, ai tha se kishte pasur disa grindje të mëparshme me qiradhënësin e tij. Ndërsa për ditën e ngjarjes, Kodra pretendoi se ishte goditur me grusht në fytyrë nga viktima. Po sipas tij, kur kishte parë ti dilte gjak nga hundët, ai e kishte qëlluar me thike mbi viktimën. Ai më ka provokuar shumë herë që unë të kaloja në ekstrem. Ai më thoshte: o do të dalësh nga shtëpia, o ska. Ne kishim një kontratë. I kisha paguar për disa muaj. Kisha edhe dëshmitar për këtë.
Me vjen shumë keq. Nuk doja që të ndodhte kjo që ndodhi. Unë e kisha paguar atë për 5 muaj. Kisha edhe tre muaj të paguar. I thashë të më kthente pjesën e mbetur dhe të ikja. Ai më tha: I kam prishur lekët, tha i pandehuri. Në vijim, Kodra tha se për shkak të zënkave të mëparshme që kishte pasur me viktimën, ishin thirrur edhe në komisariat. Kur dolën që aty, Kapllani më tha: do të të zhduk, u shpreh i pandehuri. Po sipas tij, ai ishte shqetësuar nga e zonja e shtëpisë së qiradhënësve. Të premten e thirra të sqaroheshim. I thashë të mos më shqetësonte më. Unë fle vonë. E zonja e shtëpisë me një makinë qepëse bënte zhurmë që në mëngjes, pohoi Kodra. Po sipas tij, qiradhënësi i kishte ndërprerë atij edhe ujin e pijshëm. Më ndërpreu edhe ujin. Unë i thashë që të mos më ndërpriste ujin. I thashë që ia kisha marrë shtëpinë me qira dhe me ujin, rrëfeu Kodra. Ndërsa për ditën e ngjarjes, i pandehuri tha se kishte parë qiradhënësin e tij të merrte disa shkallë dhe të krasiste rrushin mbi banesë. Unë e shikoja nga dritarja. Kisha frikë se më pati thënë do të të zhduk. Futa një thikë në xhep. Ai e kishte në plan të më provokonte. Pastaj u grindëm dhe ai më qëlloi me grusht. Më doli gjak nga hundët. E fotografuan edhe ata të policisë pastaj gjakun në mur. Kur pashë gjakun, mu errën sytë dhe e qëllova me thikë. Unë nuk doja të ndodhte. Nuk di çfarë mendimi ka ai, por më ka provokuar, mbylli rrëfimin e tij i pandehuri Kodra. Ai nuk ka më mendime. Ai ka vdekur tashmë. Është varrosur, pohoi gjykata në drejtim të të pandehurit.

Zënkat

I pandehuri radhiti para gjykatës dje të gjitha sherret që kishte pasur me të zotin e shtëpisë ku qëndronte me qira, duke tentuar të justifikonte me to krimin e kryer. Sipas tij, pronari i shtëpisë i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia. Po sipas të pandehurit, ai kishte pasur një kontratë qiraje dhe kishte parapaguar edhe për disa nga muajt pasardhës. Tensioni mes të dyve ishte shtuar kur ata i kishin kërkuar ndihmë policisë për sqarimin e grindjeve. Ndërkohë, sipas të pandehurit, të zotët e shtëpisë e shqetësonin me zhurma, si edhe i kishin ndërprerë ujin e pijshëm.

I arrestuari jep 4 variante për shkakun e krimit

Katër versione të ndryshme për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, janë dhënë dje nga personi i arrestuar në lidhje me ngjarjen. Në seancën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës, 61-vjeçari Ylvi Kodra fillimisht ka deklaruar se me pronarin e banesës ku jetonte ka pasur konflikt për qiranë. Ai ka shtuar se kishte paguar për pesë muaj, por i zoti i banesës po i kërkonte të largohej dhe nuk i kthente pas pagën që kishte bërë, pasi thoshte se kishte shpenzuar lekët. Më pas i arrestuari për vrasjen ka pretenduar se pronari i shtëpisë i ka nxirë jetën, pasi gruaja e tij një kat më lart bënte zhurmë herët në mëngjes duke i nxjerrë gjumin. Një tjetër motiv i pretenduar nga autori i vrasjes së ndodhur në Tiranë, ka qenë uji. Sipas tij, pronari i shtëpisë i kishte bllokuar atij furnizimin, pasi edhe kur vinte uji çezma e tij në shtëpi nuk kishte furnizim normal e të rrjedhshëm. Prokuroria mund të kërkojë një verifikim të gjendjes mendore të 61-vjeçarit.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›