Tiranë, gjykata lë në burg Paro Laçin, aksioner i Partizanit
TIRANE – Gjykata e Tiranës nuk pranoi dje garancinë pasurore të ofruar nga Paro Laçi, të akuzuar për veprën penale të mashtrimit dhe korrupsionit, në këmbim të një mase sigurie të butë ndaj tij. Nga qelia e gjykatës, Laçi ka pohuar edhe njëherë, ashtu si në Gjykatën e Durrësit, se do të fliste pasi të dilte nga burgu.
Togat e zeza të gjykatës e lanë të pandryshuar masën e sigurisë arrest me burg dhënë nga Gjykata e Durrësit ndaj të dyshuarit Laçi. Në një seancë me dyer të mbyllura, aksioneri i klubit sportiv Partizani si edhe i Klubit të futbollit Rubiku u paraqit dje në Gjykatën e kryeqytetit për rivlerësimin e masës së sigurisë. Burime të Gjykatës konfirmuan se përfaqësuesi i Prokurorisë i kërkoi Gjykatës mosndryshimin e masës arrest me burg. Nga ana e tij, avokati mbrojtës i Laçit ka kërkuar një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg. Kërkesa për garanci pasurore është shqiptuar nga vetë i pandehuri Laçi. Veç asaj që tha avokati, unë mund të ofroj garanci pasurore për një masë më të butë, mësohet të jetë shprehur Laçi, duke e lënë shifrën e garancisë në çmim të gjykatës. Me herët, Laçi ka folur nga kafazi i sallës së gjyqit duke pretenduar se do të fliste kur të dilte nga burgu, ndonëse jeta e tij mund të rrezikohej.
Kur kam qenë në Laç, si aksioner i Rubikut, kur kam kërkuar fonde, shteti më ka përkrahur për të ndërtuar stadiumit. Presioni ndaj meje filloi kur unë erdha tek Partizani. Kur të dal nga burgu e di që do të më vrasin, por unë do të flas. Do të shkoj deri në vetëgjyqësi nëse duhet. Më është bërë dhe një bisedë për 21 janarin, por nuk e tregoj tani, mësohet të jetë shprehur Laçi. Hetimet në ngarkim të Paro Laçit u kryen nga Prokuroria e Durrësit, por pak ditë më parë dosja i kaloi për kompetencë organit të akuzës së kryeqytetit. Sipas Prokurorisë, Laçi dyshohet se i ka premtuar një biznesmeni se do të ndërhynte tek zyrtarë të lartë të Ministrisë së Ekonomisë për ti siguruar atij një leje minerare në Minierën e Bulqizës. Po sipas akuzës, për sigurimin e lejes Laçi ka kërkuar 75 mijë euro, nga të cilat atij i janë dorëzuar 40 mijë. Po dje, gjykata rivlerësoi masën e sigurisë ndaj të pandehurit Agron Arusha, të arrestuar për llogari të të njëjtit hetim që prangosi Paro Laçin. Edhe për të pandehurin Arusha, gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg. ar.ba