Berisha në Lezhë: Shqipëria superfuqi energjetike në rajon
Kryeministri Berisha premtoi dje sërish se Shqipëria do të shndërrohet në superfuqi energjetike në rajon. Kreu i ekzekutivit mori pjesë në përurimin e fillimit të ndërtimit të parkut energjetik në Lezhë, me ndërtimin e centralit me biomasë të lëngshme (vajra vegjetalë) për prodhimin e energjisë elektrike, me kapacitet 140 MË. Ky projekt është një investim i grupit italian "Marseglia", prej 1.1 miliard euro. Kryeministri Berisha, duke e konsideruar këtë projekt ndër më të mëdhenjtë, të inauguruar në vend, tha se Shqipëria është vendi që po tërheq investimet më të mëdha në fushën energjetike, në Ballkan. "Me gurin e themelit që po hedhim këtu, Shqipëria ka hedhur gurin e themelit për t'u shndërruar në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se brenda 2-3 javëve do të fillojë realizimi i një tjetër projekti të madh në fushën e energjisë ujore, me vlerë 1.1 miliard euro, kaskada e lumit Devoll", u shpreh Berisha. Sipas tij "Nuk ishte aspak e thjesht që. Pikërisht, në kulmin e mungesës së energjisë të deklaronim se Shqipëria do të bëhet një superfuqi energjetike në rajon. Gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu në vështirësi, rruga më e sigurt për t`ì kapërcyer ato, është të guxojë të mendojë të pamendueshmen, të imagjinojë të paimagjinueshmen. Kjo është rruga e vetme për t`ì shndërruar ato në realitet dhe ne, tani shohim një realitet krejt të ri". Nga ana e tij Ambasadori italian në Tiranë, zoti Saba D'Ellia, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, u shpreh se ky projekt tregon fuqinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Italisë dhe se raporti mes dy vendeve në sektorin ekonomik dhe jo vetëm, është vërtet i veçantë. "Vetëm 3-4 muajt e fundit mes dy vendeve janë nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 3 miliard euro dhe kjo është një shifër vërtet e rëndësishme në mes të krizës botërore dhe që tregon gjallërinë e ekonomisë shqiptare dhe aftësinë e sipërmarrjes italiane", u shpreh D'Ellia.