E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak, lista e kandidatëve të PS-së për Tiranën

Mes kandidatëve bien në sy emrat e Kiço Blushit; ish-kundërshtares së Ramës, Mimoza Hafizi; ish-drejtorit të Doganave, Ago; ish-guvernatorit Cani e drejtorit

Fejzi Braushi

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të ketë një fytyrë krejt të re. Kjo të paktën përsa i përket pjesës së Partisë Socialiste, e cila në listën e saj të kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të paraqitur në KQZ, ka përfshirë emra që s’kanë qenë apo s’janë aktualisht anëtarë të tij. Bie në sy emri i Kristaq Blushi, i ati i anëtarit të kryesisë së PS-së, Ben Blushi, deri para pak kohëve i njohur për kritikat e ashpra ndaj liderit të PS-së, Edi Rama.

Lista

Partia Socialiste përveç emrit të Edi Ramës si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ka paraqitur dhe një listë prej 38 emrash për anëtarë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Listën e kryeson një grua, Mimoza Hafizi, e cila është njëkohësisht dhe anëtare e kryesisë së PS-së. E njohur deri para pak kohëve si kritike e kreut të PS-së, Edi Rama, Hafizi ka rigjetur besimin e kryetarit të partisë, pasi do të kryesojë dhe grupin e këshilltarëve të majtë. Më pas në listë vjen Tritan Kalo, një emër i panjohur në radhët e socialistëve dhe menjëherë pas tij renditet Kiço Blushi. Kjo lëvizje e Ramës ka të bëjë ndoshta dhe me një marrëdhënie afrimi me kundërshtarin e tij në parti Ben Blushi, por nga ana tjetër vlen të theksohet se zgjedhja e Blushit “të vjetër” vjen për shkak të vetë kontributeve që ky i fundit ka pasur në politikë dhe ka ende si publicist. Më pas vjen emri i ish-zëvendësministres së Financave në kohën e socialistëve, Ardiana Berberi, tashmë anëtare e Asamblesë së PS-së. Listën e vazhdon zëvendëssekretari për programin në PS, Ervin Bushati, dhe më pas vijnë personazhe të tjera të njohura si anëtari i Asamblesë Kombëtare, njëherësh drejtor i “Zërit të Popullit”, Aldrin Dalipi; ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shpëtim Cami; ish-zv/ministri socialist Mehmet Hasanlami; ish-drejtori i doganave, Petrit Ago etj. Në listën e kandidatëve në një pozicion të mirë është renditur edhe vajza inxhinierit të njohur Farudin Hoxha.

Të tjerët

Por përveç emrave socialistë, listës së këshilltarëve të PS-së i janë bashkëngjitur dhe një sërë emrash të tjerë të ardhur ose nga jashtë strukturave të PS-së ose nga aleatët. Kështu, bie në sy ish anëtari i Lëvizjes MJAFT dhe G99, Arbian Mazniku, ashtu si dhe emri i gazetarit Lorenc Vangjeli. Të dy të renditur në pozicionet e favorizuara për të qenë fitues dhe anëtarë të sigurt të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kandidat, por në një vend të diskutueshëm është përfshirë edhe avokati dhe njëri nga përfaqësuesit ligjor të PS-së në KQZ, Eridian Saliani. Pjesë e kandidaturave janë bërë dhe disa emra të propozuar nga partitë aleate, kjo sipas një marrëveshjeje paraprake. Njëri prej tyre është një nga përfaqësuesit e PDK-së, Dhimitër Muslia. PS-ja, nga 56 vende që ka Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka paraqitur vetëm 38 propozime, nga të cilët pretendon të shpallë fitues më shumë se gjysmën e tyre, në mënyrë që të marrë shumicën e duhur për të krijuar mazhorancën, çka do i garantonte vendimmarrjen. Nga 38 kandidaturat e paraqitura, një vend të konsiderueshëm zënë femrat, pasi në listë janë plotë 14 të tilla. Lista e PS-së tashmë pritet t’i nënshtrohet në ditët në vijim vendimmarrjes së KQZ-së, në mënyrë që të zyrtarizohet si garuese për zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Lista e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ndryshe nga të gjitha njësitë e tjera, depozitohet dhe administrohet nga KQZ së bashku me kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›