Vëzhguesit e huaj:Progres i prekshëm në zgjedhje, por standardet evropiane nuk u arritën
ADI SHKEMBI
Shqipëria ka bërë progres në zgjedhjet e 28 qershorit, por ky progres eklipsohet nga problemet teknike të vërejtura ditën e diel. Ky është përfundimi paraprak i shpallur nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të zgjedhjeve, të përbërë nga katër institucione të huaja, OSBE, ODIHR, Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Megjithëse është rezervuar të japë një konkluzion mbi cilësinë e procesit të fundit zgjedhor në raport me zgjedhjet e mëparshme, grupi i vëzhguesve të huaj ka vlerësuar se procesi është zhvilluar në një ditë të qetë dhe paqësore. “Zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore, dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash. Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si dhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elementë këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor”, thuhet në raportin paraprak. “Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, dhe atmosfera ishte e përmirësuar. Procesi i votimit u vlerësua si pak më shumë pozitiv se në zgjedhjet e tjera, megjithëse u vëzhguan një sërë shkeljesh procedurale. Do të ishte e parakohshme të bëhej një vlerësim përfundimtar në këtë moment, pasi elementët kyç si numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve nuk kanë përfunduar ende”, vijon më tej raporti.
Problemet
Grupi i vëzhguesve ka vënë theksin gjithashtu tek akuzat ndaj qeverisë për përdorimin e administratës në fushatë. “Pati një sërë aludimesh presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës. Në mënyrë të përsëritshme, qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë partiake, ashti siç bëri edhe kryetari i PS-së, edhe pse në një masë më të vogël. Pati aludime keqpërdorimi të burimeve administrative të PD-së në pushtet, disa prej të cilave u vërtetuan”, thuhet në raport. Por në të njëjtën kohë, syrit të vëzhguesve nuk i kanë munguar as problemet me bojën matrikuluese, apo nisjen e votimit me vonesë në disa qendra. “Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit si pozitiv në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit që u vizituan. Megjithatë, ata konstatuan shkelje procedurale, përfshirë procedurat e bojës, votimin familjar shumë të përhapur, si dhe hapjen me vonesë të qendrave të votimit”, thekson raporti. Në të njëjtën kohë vëzhguesit vlerësuan se emërimi i KQV-ve përfundoi jashtëzakonisht vonë, vetëm dy ditë para ditës së zgjedhjeve, teksa edhe qendrat e votimit u krijuan me vonesë. “U konstatuan boshllëqe në dispozitat ligjore, për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate, krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave. Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore”, vijojnë më tej përfundimet e vëzhguesve.
Raporti paraprak
• Zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore, dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash.
• Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si dhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elementë këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor.
• Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, dhe atmosfera ishte e përmirësuar. Procesi i votimit u vlerësua si pak më shumë pozitiv se në zgjedhjet e tjera, megjithëse u vëzhguan një sërë shkeljesh procedurale.
• Pati një sërë aludimesh presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe studentëve që të merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së apo që të shmangnin aktivitetet e opozitës.
• Në mënyrë të përsëritshme qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë partiake, ashti siç bëri edhe Kryetari i PS-së, edhe pse në një masë më të vogël. Pati aludime keqpërdorimi të burimeve administrative të PD-së në pushtet, disa prej të cilave u vërtetuan.
• Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit si pozitiv në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit që u vizituan. Megjithatë, ata konstatuan shkelje procedurale, përfshirë procedurat e bojës, votimin familjar shumë të përhapur, si dhe hapjen me vonesë të qendrave të votimit
• Emërimi i KQV-ve përfundoi jashtëzakonisht vonë, vetëm dy ditë para ditës së zgjedhjeve. Katër partitë politike që duhet të propozonin shtatë anëtarët e KQV-ve (PS, PD, PR dhe PSD) nuk respektuan afatin e 14 majit për propozimet, kurse afati përfundimtar 8 qershor për formimin e KQV-ve nuk u respektua në shumë vende.
• Edhe qendrat e votimit u krijuan me vonesë.
• Misionit i kanë ardhur shumë pretendime për presion nga shumë qarqe, ku përfshihen kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik se do të hiqeshin nga puna nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së ose nëse shkonin në aktivitetet e opozitës.
• Qeveria ka përdorur aktivitet zyrtare për qëllime fushate në mënyrë të përsëritshme, duke zbehur dallimin mes aktiviteteve shtetërore dhe atyre të fushatës. Gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përdorur aktivitetet zyrtare për të bërë fushatë për PS-në.
• U konstatuan boshllëqe në dispozitat ligjore për të siguruar përfaqësimin e grave si kandidate, krijuan mundësi për ta anashkaluar qëllimin, duke e ulur ndikimin e dispozitave. Shqetësim serioz ishte mungesa e transparencës për financimin e fushatës zgjedhore.
Bruce George
“Standardetmë 28 qershor nuk u arritën”
Kreu i misionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Bruce George, tha dje se standardet në këto zgjedhje nuk u arritën, por shtoi se ato mund të arrihen në zgjedhjet e ardhshme. “Sa i përket mënyrës ose zhvillimit të zgjedhjeve të djeshme. A i arriti këto standarde?. Më pak fjalë jo. A ka mundësi Shqipëria që deri në zgjedhjet e tjera të ardhshme parlamentare t’i arrijë këto standarde? Po, ka. Shqipëria ka pasur arritje, por ka ende të meta. Ka ende punë për të bërë”, theksoi George në konferencën e përbashkët për shtyp.
Volfgang Grosruk
“Klimë e polarizuar politike”
Zv.presidenti dhe kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së vlerësoi procesin zgjedhor gjatë konferencës për shtyp, por shtoi se në të ardhmen duhen trajtuar çështje si polarizimi i klimës politike në vend. “Vendi është pjekur, ka bërë progres, dhe shumë prej frikërave që kishim vetëm disa muaj më parë nuk u materializuan. Jam i lumtur për progresin që vumë re, por janë ende një numër çështjesh që duhen trajtuar sidomos klima e polarizuar politike”, theksoi Grosruck në daljen para mediave në përfundim të procesit të votimit.
Korin Jonker
“Tani punoni për zgjedhje demokratike”
Në përfundim të procesit zgjedhor, Korin Jonker, shefe e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vlerësoi pozitivisht pjesëmarrjen në votime. “Këto zgjedhje demonstruan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike, si ato në vendet e tjera evropiane”, deklaroi ajo. Sipas Jonker “autoritetet dhe figurat kryesore politike kanë tani përgjegjësi të madhe për të punuar fort, për të ngulitur te qytetarët besimin për një proces zgjedhor demokratik”.
Audrey Glover
“Procesi elektoral me probleme”
Shefja e misionit të ODIHR-it në Shqipëri, Andrey Glover, vuri theksin te disa prej problemeve në zgjedhjet e 28 qershorit. “Eshtë për të ardhur keq që niveli i lartë i mosbesimit mes partive, presioni dhe shpërdorimi i fondeve publike nuk e rritën cilësinë. Numërimi i votave do zgjasë edhe për disa ditë të tjera dhe ky proces do ndiqet nga rezultatet dhe vëzhguesit tanë që do jenë në terren për ta vëzhguar procesin”, u shpreh Glover në deklaratën për shtyp, teksa shtoi se vëzhguesit do të ndjekin nga afër edhe procesin e numërimit të votave.
Withers: Zgjedhjet, të miradministruara
Aristir Lumezi
Ambasadori amerikan qëndron në krah të raportit të Misionit Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve, që i karakterizonte këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësitë. Vetëm pak orë nga raporti i Misionit Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve, Ambasadori amerikan, John Withers, nëpërmjet një deklarate për shtyp informon se është dakord me konstatimin e ndërkombëtarëve. “Këto zgjedhje janë praktikë e përmirësuar, krahasuar me praktika të mëparshme, por pati mangësi”. “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces”. Në deklaratën për shtyp të publikuar nga Ambasada amerikane në Tiranë ambasadori Withers citohet të jetë shprehur “jam në një mendje me këto gjetje dhe nxis autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votime të ardhshme”. Ambasadori, i cili luajti njëkohësisht dhe rolin e një vëzhguesi në procesin e votimit të 28 qershorit vlerëson se zgjedhjet në përgjithësi ishin të miradministruara dhe të qeta dhe kujton se vëmendja e ndërkombëtarëve tani është te procesi i numërimit dhe i zyrtarizimit të votave. “Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet, që në përgjithësi, ishin të miradministruara dhe të qeta. Tani presim përfundimin e numërimit të votave si dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë me e-mail. Në fund të deklaratës së tij për shtyp, ambasadori Withers përgëzon popullin shqiptar për pjesëmarrjen e lartë dhe ofroj urimet e mia më të mira për të ardhmen.
Olli Rehn
Komisioneri evropian për zgjerimin e BE-së, Olli Rehn vlerëson procesin zgjedhor të qetë dhe paqësor, duke nënvizuar disa përmirësime në disa fusha, por sipas Rehn këto përmirësime janë të eklipsuara nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si dhe dhuna e vënë re gjatë fushatës zgjedhore. “Përmirësimet e nënvizuara edhe në konkluzionet paraprake të OSBE-ODIHR, ku nënvizohen përparime konkrete në disa fusha, janë eklipsuar nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si dhe dhuna e vënë re gjatë fushatës zgjedhore”. Në këtë deklaratë vlerësohet veç të tjerash edhe fakti se dita e zgjedhjeve ishte në përgjithësi e qetë dhe paqësore. Bashkimi Evropian vë në dukje disa përmirësime të lehta, përsa i përket procesit të votimit, ndërsa konstaton se janë vënë re shkelje procedurale. Rehn, mbështet raportin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR, ku vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve nuk mund të bëhet para numërimit të votave dhe para nxjerrjes së rezultateve. Për Bashkimin Evropian, ky proces zgjedhor nxjerr në pah qartësisht nevojën që lidershipi politik shqiptar i të gjitha kaheve politike, duhet të punojë shumë në mënyrë që në të ardhmen zgjedhjet të jenë në përputhje të plotë me standardet e ndërkombëtare dhe të gëzojë besueshmëri të lartë të zgjedhësve shqiptarë”, përfundon deklarata e Komisionit Evropian për Zgjerim Oli Rehn, mbi zgjedhjet në Shqipëri.
PS: Berisha të dëgjojë vëzhguesit
Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj tha dje se “akoma dhe njëherë ndërkombëtarët na treguan se Shqipëria nuk ka përmbushur standardet e kërkuara”. “I bëjmë thirrje kryeministrit Berisha të dëgjojë me vëmendje dhe të asimilojë vërejtjet e OSBE-ODIHR në raportin e dhënë pak minuta më parë”, tha Imeraj.
PD: Raporti vlerësoi progresin e bërë
Zëdhënësja e PD-së Majlinda Bregu vlerësoi raportin e OSBE-ODIHR. “Besoj se ajo që të gjithë kemi dëgjuar në raportin paraprak të vëzhguesve është vetëm një konfirmim i pritshëm i realitetit të vlerësimit të procesit zgjedhor në Shqipëri, proces ky që është vlerësuar me progres të dukshëm”, u shpreh Bregu.
LSI: Raporti, të plotësohen standardet
Zëdhënësi i LSI-së Ralf Gjoni vlerësoi raportin e ndërkombëtarëve. “Shqipëria ka bërë përparime në mbarëvajtjen e standardeve të zgjedhjeve dhe ndajmë të njëjtin shqetësim me ta se vendi ynë ende ka shumë punë për të bërë në drejtim të garantimit të standardeve të plota, për të siguruar të drejtën e hyrjes në Bashkimin Evropian”, u shpreh Gjoni.