E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, pritje gjer në mëngjes për rezultatin

 

VLORE – Qarku i Vlorës përmbylli zgjedhjet parlamentare pa probleme, ndërsa në qytet simpatizantë të të dyja kaheve të politikës kanë pritur gjer në orët e vona rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave nisi në orën 00:30, por gjer në orën 02:00 nuk kishte përfunduar as numërimi i 6 kutive të para. Gjer në këtë fazë numërimi vijoi normalisht, me konsensusin e plotë të komisionerëve dhe pa ndonjë incident të mundshëm në ambientet e sallës. Në qytet, 80 për qind e qendrave të votimit u hapën sipas rregullave të KQZ-së  në orën 07:00 të mëngjesit. Në tre qendra, procesi i votimit nisi me vonesë pasi mungonte boja për shkak se ishte ngatërruar me disa materiale të tjera, por një orë më pas filloi puna në to. Në qendrën 4499, në kohën që u hap zarfi i materialeve dhe u vendosën mbi tavolinë, një prej dy vulave u zhduk. Fillimisht komisionerët akuzuan njëri-tjetrin për fshehjen e vulës. Kjo qendër u hap vetëm në orën 12:00, pra me 5 orë vonesë deri sa erdhi vula nga Tirana me helikopter. Ndërkohë, në të gjitha qendrat e votimit u konstatua se nuk korrespondonte numri i vulës me atë që ishte shkruar në procesverbal. Në këto kushte për të mos penguar procesin, komisionerët ranë dakord të mbajnë procesverbal për numrin e vulës të gjetur në zarf dhe të vazhdojë procesi i votimit. Ndërsa në disa qendra pati ankesa për cilësinë e bojës, e cila u zëvendësua. Në dy qendra votimi mungonin listat e 250 votuesve, të cilat mbas dy orësh u zëvendësuan me lista kopje me marrëveshjen e të gjitha palëve. Duhet theksuar se në të gjitha rastet e këtyre incidenteve, komisionerët kanë gjetur një zgjidhje në kompromis, pa degjeneruar në sherre mes tyre. Interesi i qytetarëve për të votuar ishte relativisht i mirë. Por gjatë qëndrimit në radhë në disa qendra kishte edhe mosmarrëveshje dhe sherre mes qytetarëve duke precipituar deri në grushte jashtë derës së qendrës së votimit, por pa probleme serioze. Gjithashtu, dje u shënuan edhe raste kur persona të ndryshëm nuk kanë gjetur emrin në listat brenda qendrës së votimit dhe pse ata ishin në listat e afishuara. Në qytet përqindja e votimit arriti në rreth 45 për qind. Edhe në zonat rurale, në përgjithësi votimi është zhvilluar i qetë. Në fshatin Rrimës kutia është konstatuar e thyer, e cila më pas u zëvendësua. Në Tragjas një person grisi dy fletët e votimit të të afërmve të tij. Në Himarë situata ka qenë e qetë dhe pa asnjë problem. Gjithashtu, votimet të qeta dhe me pjesëmarrje normale u kryen edhe në Orikum, Dhërmi, fshatrat e lumit të Vlorës, Selenicë, Mifol, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›