E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Fullani: E paralajmërova Berishën

Qeveria e drejtuar nga Sali Berisha e kishte mundësinë ta zbuste krizën ekonomike, falë masave më të shpejta me buxhetin e shtetit 2009. Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë u zbulua se reagimet e Bankës së Shqipërisë ndaj presioneve gjithnjë në rritje të rënies ekonomike, kishin ardhur kohë më parë, kur vendi nuk ishte infektuar ende nga kriza. Duke raportuar aktivitetin e sistemit bankar për vitin 2008, guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha dje se qëndrimet ndaj situatës ekonomike kanë qenë shqetësuese prej kohësh. "Nuk është e vërtetë që po tregohemi aktivë dhe transparentë vetëm tani kur vendi është prekur nga kriza. Unë si guvernator dhe stafi im gjithnjë jemi treguar të hapur me publikimin dhe shqetësimet tona ia kemi përcjellë institucioneve të tjera përgjegjëse. Paralajmërimet i kemi thënë me kohë", u shpreh Fullani. "Në fakt, vetëm opozita i ka ngritur shqetësimet e krizës ekonomike. Ajo çka po ndodh aktualisht është njoftuar me kohë nga ne, kur diskutohej buxheti i shtetit 2009. Nga Banka e Shqipërisë nuk kam parë një reagim të fortë dhe kundërshtues ndaj politikave të qeverisë. Roli i BSH është shumë i rëndësishëm dhe si funksion i pavarur duhet të jetë më aktiv dhe realist", tha deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi. Debati ka vijuar më tej, kur guvernatori tha me zë të fortë se, shqetësimet dhe efektet negative i janë përcjellë qeverisë. "Këshilli i Ministrave është njoftuar kohë më parë. Janë njohur me rreziqet nga kriza ekonomike. Të gjitha kundërshtitë tona rreth buxhetit dhe masave që po merreshin janë

paraqitur me një letër drejtuar Kryeministrisë. Nuk është e vërtetë që kemi qenë pasivë", u shpreh Fullani. Nga stafi i guvernatorit mësohet fakti se letra i është dërguar Kryeministrit Berisha në kohën kur përgatitej buxheti i shtetit 2009. Për këtë letër, ish-ministrja socialiste, Meksi, kërkoi arsye se pse nuk është bërë publike, në mënyrë që aktorët dhe grupet e interesit të njiheshin me situatën reale të ekonomisë. Por dokumenti me parametrat e sugjeruar nga Banka e Shqipërisë rreth buxhetit konsiderohej (ende edhe sot) tepër konfidencial, kështu që nuk mund të bëhej publike.

Letra

Në parim, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar që në shtator qeverisë që të ulte deficitin buxhetor. Guvernatori tha dje se kishte sugjeruar nivelin e 5.2 për qind, por qeveria veproi kundër, duke fiksuar normën 5.5 për qind. "Rritja e borxhit është tepër shqetësues për ne. Kemi kërkuar me kohë që të shikohet me mjaft kujdes bilanci i llogarisë korrente. Luhatja e tij jashtë kufirit dëmton disa ekuilibra në ekonomi, sidomos kursin e këmbimit", tha Fullani. Një tjetër shqetësim i përcjellë në letër ishte borxhi i madh publik. Nga 52.3 për qind që ishte në vitin 2007, qeveria e çoi atë në rreth 56.7 për qind, duke e rënduar edhe më shumë bilancin e ekonomisë. Për të gjithë vitin që shkoi, qeveria ka marrë borxh nga bankat rreth 600 milionë dollarë, pasojë e të cilit ishte mungesa e të ardhurave në buxhet. Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, ndërpreu fjalën duke thënë se qeveria merr borxh për të kryer investimet publike, të cilat nuk janë realizuar nga socialistët. Në letrën dërguar ndaj Kryeministrit, ishin paraqitur edhe shqetësimet e FMN-së, por nga sa rezultoi më pas, kreu i qeverisë nuk mori në konsideratë asnjë sugjerim.

Debati me opozitën

Në jo pak raste, guvernatorit i është dashur të përballej me kërkesat e vazhdueshme të deputetëve të majtë, që për koincidencë, me votën e tyre, erdhi në krye të BSH-së. Por kohët kanë ndryshuar dhe pasiviteti, në dukje, i Bankës së Shqipërisë, ka krijuar një perceptim të opozita se "Banka e Shqipërisë nuk sillet si e pavarur, por e kapur nga qeveria". Fullani është munduar të sqarojë pozicionin e tij në këtë situatë delikate që po kalon vendi, duke thënë se "në një formë apo tjetër, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilitetin e çmimeve dhe ruajtjes së inflacionit". Debati me deputetët Arben Malaj dhe Ermelinda Meksi lidhej me rolin e Bankës së Shqipërisë. "Jeni të pavarur dhe reagimi juaj duhet të jetë i fortë. Nuk duhet të lejoni qeverinë të gabojë, kurse vendimet për buxhetin e shtetit duhet të jenë në përputhje me realitetin", u shpreh Meksi. Kurse Malaj tha se rritja e borxhit publik po rëndon financat e shtetit.

Parashikohet huamarrje e konsiderueshme e brendshme

Qeveria do të marrë 33 miliardë lekë borxh

Banka e Shqipërisë pritet të emetojë 33 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione (rreth 254 milionë euro) gjatë muajit prill për llogari të qeverisë, bëjnë të ditur burime nga Ministria e Financave. Kjo shumë është më e lartë sesa bonot e emetuara gjatë muajve shkurt dhe mars. Që nga fillimi i vitit, qeveria ka emetuar 108 miliardë lekë bono, (rreth 835 milionë euro), shifra këto të konsideruara si të ekzagjeruara nga Banka e Shqipërisë në kushtet e sotme ekonomike.

Huamarrja e brendshme po shihet nga qeveria si burimi i vetëm i disponueshëm për të mbyllur vrimat e krijuara nga rënia e të ardhurave buxhetore gjatë gjashtë muajve të fundit, si dhe nga pamundësia për të shkurtuar shpenzimet e programuara për investime publike. Qeveria pati programuar të marrë 300 milionë euro kredi nga jashtë për të mbyllur deficitin, por procedurat për këtë qëllim janë zvarritur për muaj me radhë, pasi bankat e huaja nuk kanë qenë të gatshme ta japin këtë kredi. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, shpresa është që nga mesi i muajit maj, këto para të mbërrijnë në buxhet. Huamarrja e lartë e brendshme bëhet e detyrueshme edhe për shkak se plani i të ardhurave buxhetore gjatë tre muajve të parë të vitit qenë 5 për qind më të ulëta se plani. Kërkesa e lartë për borxh publik ka shkaktuar sakaq rritje të fortë të interesave të bonove të thesarit, të cilat kapërcyen kufirin prej 9 përqindësh për herë të parë në pesë vjet.

Banka e Shqipërisë paralajmëroi gjatë muajve të fundit në mënyrë të përsëritur se kërkesa e lartë e qeverisë për borxhe po krijon probleme serioze në ekonominë e vendit. Borxhi publik u rrit në 55.6 për qind të PBB-së në vitin 2008 nga 54.5 për qind që ishte në 2007. Për herë të parë në shtatë vjet, borxhi publik i vendit erdhi në rritje.

Ankandi i ardhshëm i Bonove të Thesarit është programuar për të martën e ardhshme. Pritet të emetohen 14.7 miliardë lekë bono me afate maturimi gjashtë dhe dymbëdhjetëmujore. Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të mos e kapërcejë kufirin e programuar të deficitit buxhetor për këtë vit. Por një lojë juridike ka nisur mbi këtë çështje: Deficiti i programuar prej 4.2 përqindësh të PBB-së merrte parasysh rritje ekonomike 5.5 për qind dhe jo 1 për qind, sa është parashikimi i fundit. Qeveria thotë se ligji për buxhetin e shtetit sanksionon se ajo mund të shpenzojë 50 miliardë lekë, pavarësisht se çfarë pjese përbën kjo shumë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Gj. Erebara

Inflacioni, taksat rritën çmimet

Teorikisht, në kohë krize, çmimet janë në rënie, por kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri, për një shkak të thjeshtë. Rritja e akcizës së naftës gjatë muajit mars me ligj të veçantë, ishte një nga shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve, sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti i Statistikave. Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 0.6 për qind gjatë muajit mars në krahasim me shkurtin.

Indeksi i grupit "Transport" shënoi një rritje prej 0.8 përqindësh, ku rritja e çmimit të naftës ishte 3.0 për qind ndërsa rritja e çmimit të benzinës 0.6 për qind. Për pasojë, kostoja e përgjithshme e transportit interurban në vend u rrit me 1.0 për qind.

Çmimi i naftës u rrit papritur me 12 lekë për litër dhe kërceu nga 100 në 112 lekë gjatë marsit. Qeveria rriti akcizën e naftës në 37 lekë për litër, masë që do t‘i taksojë shqiptarët rreth 45 milionë euro më shumë çdo vit.

Te grupet e tjera, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 1.4 përqindësh, me një ndikim prej 0.5 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet "fruta" dhe "zarzavate" përkatësisht 5.4 dhe 5.3 për qind. Rritja e çmimeve të këtyre produkteve gjatë marsit, është një fenomen sezonal që përsëritet çdo vit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›