E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si çdo mëkatar, Rama vuan nga fjalimet me sindromën e fituesit

Të zgjedhur si mbështetës të Ramës, socialistët nuk panë në kongres përtej hundës së tyre. U mblodhën të ndëshkonin fajtorin dhe afirmuan diktatorin. Meqë ishin dhe vetë të përlyer, e shpallën Ramën viktimë. “Qoftëlargu” do të ishte përlotur nga mallëngjimi, po t’i shihte këta dishepuj të përkushtuar. Ndonëse zgjedhjet janë deklaruar, tashmë, të ndershme, kongresi i PS-së i shpalli ato të manipuluara. Nga humbës i pafalshëm, Rama doli fitimtar i paarritshëm. Ndoshta prandaj ai, si liberal, ulëriti aty më ashpër se një diktator. Nga i akuzuar, u kthye në akuzonjës. Në vend të mallkonte veten, bekoi humbjen si fitore. Në kongres ishin mbledhur vetëm turma qaramanësh qelepirxhinj. Shpifës të stërvitur në fushata zgjedhjesh të vjedhura nga PS-ja. Nuk ka komoditet më të madh për një hajdut se sa ankimi i tij se gjoja e kanë vjedhur. Kongresi i PS ishte një kopje e paqortueshme e atyre të PPSh-së. Transparencës demokratike ia kishte zënë vendin frika instinktive diktatoriale. Solidariteti shfaqi aty tiparet e një vendimi mizor të paravendosur. Mendimi ndryshe u dënua me “vdekje”. Alternativat u shpallën armiqësore. Kandidatët u panë si tradhëtarë. Ramë “kryetari” gjëmoi si një stalin pa mustaqe. Salla u kthye në bunker. Gazetarët u çmuan si agjentë të imperializmit. Elektoratit iu thanë vetëm shpifjet për vjedhjen e votave. Humbësi i zgjedhjeve u mbrojt prej puthadorëve hajdutë si të ishte vetë Ali Babai.  
Kongresi i jashtëzakonshëm ishte avokatia e mëkatit të humbjes. Aty u akuzua fitimtari i vërtetë. Analiza e fajeve të humbësit u zëvendësua me votëbesimin e diktatorit të “Politikës së re”. Madje, në kongres u mallkua pa u cilësuar me emër vetë sovrani. U dënuan komisionerët socialistë, që u pajtuan me ndershmërínë. Tërë shigjetat u drejtuan te manipulimi imagjinar i zgjedhjeve. Historia nuk ka për të njohur një shembull tjetër poshtërimi, siç i bëri ky kongres vullnetit të lirë të popullit. Asnjëherë socialistët nuk kishin dalë kaq haptas kundër shpejtimit të integrimit të Shqipërisë. Të gjithë mbështetësit e Ramës dukeshin aty si ca njerëz të përlyer. Ndoshta prandaj Rama tha se nuk i përgjigjej baltës me baltë. Fjalimi i tij u kujtoi kongresmenëve kohën, kur ç’thoshte partia bënte populli. Të gjithë e ndienin se po hynin në një rrugë pa krye, megjithatë nuk iu skuq faqja për ligësinë që po kryenin. Edhe një duartrokitje e vetme për kandidatin aternativ, i terrorizonte. Votimi u bë i hapur nga frika e zgjimit të ndërgjegjes njerëzore (I ligu e di se poshtërsia ka një kufi, përtej të cilit ajo ngrihet dhe kundër vetes. Kurse i pabesi nuk e njeh besnikërinë). Rama zgurdullonte sytë duke parë me dyshim edhe veten. Klithmat e tij ishin përpjekja dëshpëruese për t’u çliruar nga terrori i brendshëm. Kongresmenët i dukeshin edhe si ca prokurorë, që ishin mbledhur ta dënonin. Fërkonte kokën të bindej se ishte endé në sallë. I mbetur pa argumente, iu kthye shpifjes. Vetëm kujtimi i "mësuesit" i jepte zemër, ndaj e ngriti fort tonin. Të gjithë duhej të bindeshin se Rama nuk largohej nga posti, edhe sikur kutitë e votimit të rinumëroheshin njëqind herë. Mburrja e tij se e kishte nxjerrë PS-në forcë të parë, u shëmbëllente kapardisjeve gjithë frikë të E. Hoxhës për forcimin e partisë, kur e braktisnin të gjithë aleatët jostalinistë. Kongresi i jashtëzakonshëm tregoi se PS-ja nuk kishte lëvizur një qime nga istikami i vjetër i PPSh-së. Ky ishte kongresi, që paralajmëroi fundin fatal të saj. Edhe një socialist i thjeshtë nuk ia beson më fatin e fëmijëve të tij atyre që, për interesa kaq meskine, janë gati të rizgjedhin në krye të partisë atë që e shpuri këtë në humbje. Janë lodhur socialistët me britmat frikëndjellëse dhe poshtëruese të epokës së “qoftëlargut”. Madjé dhe shumë mëkatarë prej tyre janë bindur tashmë se nuk lahet e kaluara me ligësi të reja. Emigracioni ka bërë punën e vet. Nuk është më ai fshatari i djeshëm, i “verbër”. Askush nuk ta pranon se ke fituar, kur ke humbur. Të gjithë të qeshin, kur thua se e ke nxjerrë partinë forcë të parë, duke llogaritur në favor votat e tua të pavlefshme. E di tani shqiptari se demokracia nuk mund të jetë “çiflik” i mafiozëve. Askush nuk të beson pse je i aftë të shpifësh ndaj kundërshtarit. Pse di të mbledhësh fakte imagjinare për të vërtetuar një tezë të padrejtë. Perëndoi koha, kur njerëzit, të terrorizuar, duartrokisnin, kur xhelatët ngrinin zërin gjatë leximit të aktakuzave false. Edvin Rama shëmbëlleu në kongres me Enverin dhe Stalinin. Ky misionar hipokrit doli se paskësh qënë një diktator i pakorigjueshëm. Ai e mbuloi sallën me kuisje ujku, me dredhira nepërke, përkushtime korbi dhe me besnikërira prej dhelpre. Rama e ktheu kongresin në një sallë gjyqi, ku akuzoi këdo, që mendonte ndryshe prej tij. Nga ajo tribunë ai mallkoi gjithkënd, që nuk kishte mundur të kuptonte se misioni i tij nuk ishte fitorja e PS-së, por mbrojtja e postit të tij nga armiqtë, që kishin kontribute të shquara në PS Rama mendoi të fliste butë, por kishte frikë se merrnin kurajë kundërshtarët. Deshi të shprehej me hipokrizi, por i druhej sinqeritetit të kandidatëve të tjerë. Mendoi të lutej t’ia falnin megalomaninë, por e tmerronin mbështetësit, që rrinin në sallë me nofulla të shtrënguara. Atëherë i mblodhi të gjitha bashkë. Fjalimi i tij kishte edhe ulërimë bishe, edhe lutje lepuri, edhe qarje kukuvajke, edhe kërcënim fitimtarit, edhe llahtar nga një largim i mundshëm prej postit të kryetarit. Shkurt, fjalimi i Ramës ishte avokatia më e pafytyrë e një humbësi, akuza më e stisur keq e një despoti. Ajo ishte shpirti i zí i krizës së brendshme të P.S.-së dhe tallja cinike e shpresës për reformim e kësaj force politike, që nuk pajtohet me qënien e saj në opozitë. Kongresi i jashtëzakonshëm i P.S.-së konfirmoi faktin se klanet mafioze, që po luftojnë ta mbajnë peng Shqipërínë, janë në një ngërç, nga i cili mendojnë se mund të shpëtojnë me gënjeshtra, me shpifje, me presione dhe maspranim të një realiteti, që po e shpie çdo ditë Shqipërínë në gjirin e Europës!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›