E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video “Prifti-Beqiri” në duart e ekspertëve

TIRANE - Një sekuencë e videos “Prifti-Beqiri”, ku ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shfaqet me ish-vartësin e tij, Leonard Beqiri dhe një shumë prej 70 mijë eurosh ka rënë në duart e ekspertëve, të cilët Gjykata e Lartë caktoi për të bërë ekspertimin e videos Meta-Prifti, ku pas publikimit të saj u vu nën akuzën e korrupsionit ish-numri dy i qeverisë, Ilir Meta.

Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga prokurori Bujar Sheshi, i cili lexoi para kolegjit penal të kryesuar nga Ardian Dvorani 37 pyetjet që do t’u përgjigjen tre ekspertët, Ardian Polli, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri.

Këta të fundit pasi ekspertuan videon Meta-Prifti arritën në përfundim se videoja nuk është autentike dhe në të ka ndërhyrje të shumta.

“Ju keni marrë nga ora-kamer një material filmik prej 50 sekondash në videon që gjendet në memorien e fshehtë të orës. Për çfarë shkaku e kryet këtë veprim? Pse nuk e bëtë këtë eksperiment duke përdorur këtë material filmik, të cilin e morët pikërisht për këtë qëllim?”, pyet prokuroria ekspertët, të cilët në akt ekspertim pretendojnë se nuk patën mundësi të kryejnë një eksperiment me orën-kamera.

Dritan Prifti pretendon se bisedën mes tij dhe Ilir Metës e ka regjistruar me një orë-kamera të instaluar në tavolinën e tij të punës. Me të njëjtën orë-kamera është regjistruar dhe videoja ku ai shfaqet me Leonard Beqirin, që u zbulua nga eksperti amerikan, Glen Bard, i cili në përfundim të ekspertimit tha se videoja Meta- Prifti është autentike.

Tre ekspertët duhet të përgjigjen përse videon Meta-Prifti nuk e krahasuan me atë sekuencë të videos Prifti-Beqiri, të cilën ua vendosi në dispozicion organi i akuzës pikërisht për këtë qëllim.
(er.nu/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›