Kosovë, gjyqi ndaj Limajt, dëshmon Hashim Thaçi

Prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro ka vizituar dy ditë më parë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për ta pyetur atë rreth disa zhvillimeve që kanë ndodhur dymbëdhjetë vjet më parë në Kosovë. Ai në retrospektivë dëshiron të dijë se cili ka qenë roli i Fatmir Limajt gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me çfarë është marrë ai në këtë kohë dhe cili ka qenë roli i Limajt në hartimin e operacionit “Shigjeta”. Thaçi kësaj here nuk është pyetur si politikan, por si drejtues politik i UÇK-së dhe si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Intervistimi i Thaçit në cilësinë e dëshmitarit është bërë pasi një gjë të tillë e ka kërkuar shoku i tij i luftës, Fatmir Limaj, përmes mbrojtësve të tij. Limaj, bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë dhe gjykimi ndaj tyre pritet të nisë të premten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
...