Video-përgjimi Meta-Prifti, sot jepet pretenca

Pavarësisht maratonës së shtyrjeve të njëpasnjëshme, procesi gjyqësor ndaj ish-Zv.kryeministrit Ilir Meta duket se po i vjen fundi. Në seancën e sotme gjyqësore procesi i shumëpërfolur mediatik për video-përgjimin Meta-Prifti do të kalojë një fazë decizive, pretencën e prokurorisë.
Në seancën e kaluar edhe pas kundërshtive të ashpra të avokatëve të ish zv.kryeministrit Ilir Meta për pjesën më të madhe të provave të paraqitura nga prokuroria e përgjithshme trupi gjykues vendosi të marrë parasysh pjesën më të madhe të tyre, si provat e USB-së, laptopit dhe orës kamera të Dritan Priftit.
Ndërkohë avokatët e Ilir Metës kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme marrjen si prova të këtyre materialeve pasi sipas tyre organi i akuzës nuk pranoi që ora t`i nënshtrohej ekspertimit.
Ndërkohë një ditë para dhënies së pretencës nga Gjykata për çështjen e njohur “Meta- Prifti”, kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se kjo është një çështje ordinere, e cila i takon vitit të kaluar.
Ky proces ka qenë ndër më të debatuarit midis palëve gjatë vitit 2011 ku nuk kanë munguar as akuzat e ndërsjellta. Avokatët mbrojtës si dhe vetë ish zv.kryeministri Ilir Meta e kanë akuzuar prokurorinë për një proces të montuar me prapaskena politike.
Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së ekonomisë.