Video-përgjimi Meta-Prifti, sot pritet të dëgjohen 6 dëshmitarë

Pritet të zhvillohet sot në Gjykatën e Lartë seanca gjyqësore në ngarkim të ish-Zv.kryeministrit Ilir Meta ku do të dëgjohën 6 dëshmitarë.
Në seancën e kaluar janë marrë në pyetje 4 dëshmitarë, ku mes tyre edhe Fatmir Merkaj, shoqëria e të cilit kishte marrë përsipër ndërtimin e HEC-it të Shushicës. Gjatë rrëfimit të tij pranoi se ish-ministri Dritan Prifti i kishte kërkuar që ti bëntë pëshqesh nëse dëshironte të merrte konçesionin e këtij hidrocentrali.
Ndërkohë që përfaqësuesi ligjor i Ilir Metës pas përfundimit të dëshmive u shpreh se tashmë po zbardhet e vërteta e Priftit. Në një prononcim për mediat Spartak Braho, tha se dëshmitë e sotme vërtetuan edhe njëherë mashtrimet e Dritan Priftit. “Në këtë proces maskaradë do të kuptoni që Prifti jo vetëm ka kërkuar peshqesh por dhe ka marrë”, ka theksuar Braho.
Ish- zv/kryeministri Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pas publikimit në media të një video të regjistruar ku ai shfaqej me ish- ministrin e ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së ekonomisë. Vetë zoti Meta e ka cilësuar videon si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.