E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, tradhtitë që i lanë pa ekip kombëtar

TIRANE- Në shkurt të vitit të kaluar, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kishin lënë prapa inatin që mbanin me mbrojtësin Mërgim Mavraj. Ata i lejuan përzgjedhësit Josip Kuzhe që të ftonte mbrojtësin e atëhershëm të Bokumit për ndeshjen miqësore kundër Irlandës së Veriut, të luajtur më 3 mars 2010. Mavraj nëpër media shprehej i gatshëm të luante për kuqezinjtë. Madje, thoshte që përfaqësimi i Shqipërisë ishte ëndërr e tij. Pati një bisedë edhe me trajneri Kuzhe dhe u pajtua me të e vendosi që të luante për Shqipërinë. Por, një ditë para se të niste grumbullimi në Durrës, Mavraj vendosi që të mos i bashkohej kombëtares. Një telefonatë e drejtorit sportiv të Federatës Gjermane të Futbollit, Matias Samer, ia ndërroi mendjen. Samer i kishte dhënë një fije shprese Mavrajt që një ditë do të mund të luante për Përfaqësuesen A të Gjermanisë. Ai premtim mjaftoi që ai të hiqte dorë nga paraqitja për Shqipërinë në miqësore me Irlandën e Veriut. Sot, mbrojtësi kosovar luan për skuadrën e Bundesligës 2, Greuther Furth. Ai është vetëm njëri prej lojtarëve që hoqi dorë nga aktivizimi për Shqipërinë, në pritje të realizimit të ëndrrës për të qenë në ndonjë përfaqësuese të fortë evropiane. Ftesa nga Gjermania nuk erdhi asnjëherë për Mavrajn, ashtu si nuk erdhën ftesat e përfaqësueseve të mëdha edhe për disa lojtarë të tjerë shqiptarë që nuk kishin pranuar të luanin për Shqipërinë.

PËRPLASJET
"Unë nuk e kam refuzuar Shqipërinë. Kam kërkuar edhe pak kohë të shoh se si do të rrjedhin gjërat, - ka sqaruar Mavraj për mediat shqiptare në atë periudhë - Pasi ftesa e FSHF-së arriti në klub, më telefonoi Samer. Ai më tha se janë duke më vëzhguar dhe se kam gjasa të mëdha që të ftohem në Përfaqësuesen A të Gjermanisë pas kampionatit botëror. Unë më pas telefonova Kuzhen dhe i thashë që nëse nuk prish punë të më presë deri pas Botërorit 2010, për të parë se si do të ecin gjërat, pasi bëhej fjalë për ndeshje miqësore. Pra, nuk e kam refuzuar kombëtaren, vetëm kam kërkuar kohë". Mavraj u pajis me pasaportën e Shqipërisë që në vitin 2007. Në fillim të vitit 2008 ai regjistroi një paraqitje në përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë. Drejtuesit e FSHF-së kanë thënë se kosovari ka refuzuar tri herë ftesën që të luante për Shqipërinë, edhe pse më herët kishte konfirmuar paraqitjen. Kjo gjë, sipas Mavrajt, nuk është e vërtetë. Pas largimit të Josip Kuzhes nga posti i përzgjedhësit, në muajin tetor, Mavraj (24) përmes mediave shprehu edhe një herë interesimin që të luajë për Shqipërinë. Por, drejtuesve të FSHF-së nuk u bëri përshtypje interesimi i tij. Ata madje kërkuan që Mavraj të mos ftohet më në kombëtare, ndërsa flitet se Duka ia kërkoi këtë personalisht ish-teknikut Josip Kuzhe.

GËRCALIU
Shqipërinë, në emër të paraqitjes në një përfaqësuese më të fortë e kishte refuzuar edhe Ronald Gërcaliu. 25-vjeçari i lindur në Tiranë ka luajtur 14 herë për Austrinë. Së fundi për këtë vend u paraqit në kampionatin evropian të mbajtur në vitin 2008. Më pas karriera e Gërcaliut pësoi rënie dhe Austria nuk e llogarit më atë. Ai luan në kategorinë e katërt gjermane për Ingolstadt II. Gjithsesi, rasti i tij është pak më i veçantë, pasi lojtari nga Tirana, nuk u shpreh me nota negative, por sipas tij, qëndrimi në Austri lidhej me të ardhmen e tij. "Nëse luaj për Shqipërinë më duhet të heq dorë nga pasaporta austriake dhe kjo sjell pasoja për familjen time. Nuk është çështje futbollistike, sesa jetësore", pati thënë ai.

EDGAR ÇANI
Shqipërinë fillimisht e pati refuzuar edhe sulmuesi Edgar Çani (22). Ai është rritur në Itali dhe mbante shpresat se një ditë do të luante për këtë vend. Por, Italia mbeti vetëm ëndërr për të. Në shkurt të këtij viti edhe ai njëjtë si Mavraj theksoi se paraqitja për Shqipërinë është ëndërr e tij. "Dua të luaj me kombëtaren e vendit tim, pavarësisht se jam rritur në Itali", ka thënë Çani. Ai tani luan për ekipin polak, Polonia Varshavë. Çani këmbëngul se nuk është faji i tij që nuk luan me Shqipërinë, pasi FSHF nuk e ka takuar dhe nuk e ka ftuar.

"GREKËT"
Refuzimet më të shumta Shqipërisë i kanë ardhur për shkak të Greqisë. Elis Dhimuço, Sotir Nini, Panajot Kone e Albi Kondi janë lojtarët e lindur në Shqipëri e të rritur në Greqi, që refuzuan kombëtaren kuqezi. Ëndrrën për të luajtur me Greqinë e realizoi vetëm Sotir Nini, një prej lojtarëve kryesorë tashmë në përfaqësuesen helene. Kone, që tani luan për Bolonjën në Serinë A, është ftuar vetëm në pak raste nga Greqia. I fundit që refuzoi Shqipërinë ishte portieri i Panathinaikosit, Stefanos Kapinos. Këtë e ka bërë të ditur shefi i zyrës së talenteve të FSHF-së, Redi Jupi. "Stefano Kapinos i kemi dërguar ftesë, por ai ka refuzuar të luajë për Shqipërinë. I kemi dërguar edhe njerëz për ta bindur, por ai ka bërë zgjedhjen e tij", ka thënë Jupi pak ditë më parë. Kapinos debutoi më 15 nëntor në përfaqësuesen A të Greqisë. 17-vjeçari u bë lojtari më i ri që ka luajtur për ekipin e parë të Greqisë. Sipas FSHF-së, Shqipërinë disa herë e ka refuzuar edhe Jurgen Gjasula që nuk ka dashur të hiqte dorë nga pasaporta gjermane. "Ai që nuk do dhe që e përdor fanelën e Shqipërisë, më mirë të mos vijë", ka thënë pak kohë më parë shefi i sektorit të ekipeve kombëtare Redi Jupi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›