Video-përgjimi, përfundon seanca gjyqësore

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-Zv.kryeministrit Ilir Meta, seancë në të cilën u dhanë katër dëshmi, ku me kryesorja ishte ajo e Dritan Priftit.
Ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti ka dëshmuar sot në Gjykatën e Lartë në lidhje me video-përgjimin mes tij dhe ish-Zv. Kryeministrit Ilir Meta.
Prifti deklaroi para trupit gjykues se nuk ka ndërhyrë në video dhe se ajo është origjinale. “Videoja është autentike dhe unë nuk kam kryer asnjë ndërhyrje në të”, tha Prifti.
Ai theksoi se i qëndron deri në fund akuzave që ka bërë publikisht ndaj Metës për korrupsion. “Regjistrimi është bërë me kamera orë, nuk kam kompetencë shkencore por flas në përgjegjësinë time personale”- tha Prifti.
Ish-ministri Dritan Prifti është dëshmitari kryesor i prokurorisë në çështjen për korrupsion ndaj Ilir Metës edhe në cilësinë e personit që ka bërë regjistrimin e videos.
Ndërkohë në seancën e kaluar Gjykata e Lartë ka rrëzuar të vetmen provë që mban në këmbë akuzën për korrupsion ndaj ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Kolegji Penal rrëzoi kërkesën e prokurorisë për riekspertim të video përgjimit nga ekspertë të huaj duke pranuar ekspertizën e tre ekpertëve shqiptarë.