është administrata ajo që po përmbyt Shqipërinë!
Në këto ditë paniku, kur nuk dihet se si do të vejë halli i veriorëve, nëse do të përmbytemi si në një cunam të papërballueshëm apo jo, nëse do të çahen digat apo jo, nëse do të evakuohen njerëzit dhe bagëtitë apo jo, nëse do të ketë dëme të pashmangshme në njerëz apo jo, nëse do të hapen portat e shkarkimit apo jo, nëse do të ketë rreshje të tjera apo jo, nëse do të shpërblehen të dëmtuarit apo jo, nëse do të vijnë specialistë të huaj që të na shpëtojnë apo jo, nëse...nëse...Por askush nuk po e vret mendjen në këto ditë të kijametit të thotë një gjë fare të thjeshtë: kush është fajtori i vërtetë? është fajtor moti, është “ngrohja globale”, janë shirat dhe dëbora, apo mos është keqadministrimi i vendit, në këtë rast i hidroçentraleve? Madje edhe opozita, për të mos u “kriminalizuar” del e thotë se hë për hë nuk ka rëndësi se kush është fajtor, por vetëm të “shpëtohen njerëzit”! Ndërkohë jo vetëm Shkodra, po edhe Tropoja u izolua! Tropoja e Berishës u izolua kësaj here nga pjesa tjetër e Shqipërisë jo nga krimet dhe nga përçarjet, por se ura në Fierzë që e lidh atë me Shqipërinë po rrezikohet të shëmbet!...Por edhe Shkodra po izolohet! I tërë veriu ka rënë në një cunam të paparë, të frikshëm e të papashikueshëm! Diku janë bllokuar rrugët, diku janë prishur urat, diku janë shëmbur shtyllat e tensionit të lartë...Vetë fakti që autoritetet e larta të vendit, duke nisur që nga kryeministri e më poshtë po bëjnë orë e çast thirrje për evakuim, për largim, për braktisje sa më të shpejtë të shtëpive e të tokave, pavarësisht nga niveli i shirave, tregon se përmbytjet mbeten një rrezik real e potencial, jo dhe aq nga shirat, po nga “hapja e detyrueshme e portave të digave” të hidroçentraleve! Përmbytjet pra do të shkaktohen edhe në ditët që do të vijnë nga “shkarkimi i detyrueshëm i ujrave”...”Na vjen keq shumë,- na tha kryeministri, - por ne do të dërgojmë ushqime, do të bëjmë”....do të bëhen madje edhe dëmshpërblime një për një...! Dëmshpërblim po, por përse, për faj të natyrës apo për faj të gabimit njerëzor? Nëse ka faj natyra, nëse nuk është përgjegjëse “ngrohja globale”, pra nëse sivjet kanë rënë më shumë shira se çdo vit (dhe kjo mund të verifikohet kollaj!), atëhere dëmshpërblimi është detyrim i gjithë shoqërisë, por nëse dëmi është shkaktuar nga keqadministrimi, nga një “gabim njerëzor” (si psh në Gërdec), atëhere përse duhet të paguajë shoqëria, pa e “paguar” më së pari ai/ata që e kanë shkaktuar këtë dëm, apo edhe krim të pashëmbullt? Pikërisht këto ditë Presidenti Obama doli e tha që për kalimin e një terroristi në avion, “përgjegjësia është imja, si president që ka për detyrë sigurinë kombëtare”...A thua se Presidenti duhej të ishte një kontrollor në pikën hyrëse...Kurse tek ne askush nuk merr përgjegjësi, jo vetëm kur hidhet në erë një shtet i tërë, si në vitin 1997, as kur hidhet një krahinë e tërë si në Gërdec, por as edhe kur hapen me urdhër (nga lart) portat e hidroçentraleve dhe përmbyten me mijëra hektarë tokë, mijëra shtëpi e qindra njerëz të pafajshëm! Por kjo, pra përmbytja nga hapja e portave, në fund të fundit “qënka në të mirë të shqiptarëve!”, kështu doli e na kumtoi solemnisht kryeministri, administratori numur një i vendit! Që po përmbytemi nuk është dhe aq keq, përkundrazi, kjo është në të mirën tonë, se përndryshe mund të na ndodhte ndonjë katastrofë e paparë...!Kjo logjikë po drejton të gjithë administratën dhe propagandën qeveritare! Në fund të fundit “situata po menazhohet me sukses dhe deri tani nuk ka viktima!”...Ky është një sukses tjetër i madh! Por kush ka dhënë urdhër që të mos bëhet shkarkimi i ujrave në kohë e me rregjim dhe pse nuk është zbatuar “bibla” e digave, dmth rregullorja; pra, pse nuk ka funksionuar komiteti për digat, gjë që automatikisht do të shmangte këtë katrahurë? Askush nuk përgjigjet! E sigurt është që edhe kësaj here “fajtorët do të ikin në drejtim të paditur!” Do të shpërndahen ca ndihma, do të bëhen ca tendera, do të vidhen më vonë edhe ca para, do të shpërndahen ca “projekte”, do të çelen ca fonde nga buxheti, do të “menazhohen ca buxhete shtesë për hidrovore dhe për argjinatura”, do të ndreqen ca rrugë dhe ca ura, dhe...dhe më në fund të gjithë do të mbeten të kënaqur duke marrë nga një kockë! Harresa, ky balsam që e kemi dhuratë që nga koha e dushmanit, do të bëjë atë që ka bërë jetë e mot në këtë shoqëri! Kështu, shkodranët, lezhjanët, matjanët, kuksjanët, njëlloj si gërdecarët do të votojnë përsëri për komandantin, për gjeneralin, për Berishën dhe për Jozefinën!... Por përmbytjet dhe fatkeqësitë nuk do të zhduken, pasi natyra përsëri do të na japë të tjetra mësim-pësim-ndëshkime të cilat nuk i shmang dot paraprakisht një shtet e aq më pak një shoqëri njerëzore e pavetëdijëshme dhe e papërgjegjshme si kjo e jona!...Duhet ta pranojmë, të paktën në këtë rast, se është një mjerim i vërtetë që ne shqiptarët nuk e paskemi aftësinë të nxjerrim mësime as nga historia e afërt, po as nga ndëshkimet e herë pas hershme që po na jep jo Zoti, po natyra, me të cilën ne jemi sjellë e po sillemi barbarisht! Mesa duket është natyra dhe jo ndërgjegja jonë ajo që po na ndëshkon për votën që dhamë qershorin e vitit të kaluar! Apo mos kujton kush që të paktën kësaj here do të veprojë Prokuroria e Përgjithshme? Jo, se hetimi detyrimisht do të shkojë sërish në derën e Berishës! Dhe dihet që ky burrë fuqiplotë ka tashmë aq përvojë sa të mos ketë dhënë asnjë urdhër me shkrim, po vetëm me gojë, prandaj me siguri edhe kësaj here, në rast se do ta lypë nevoja të shpëlajë veten, ka për të djegur disa nëpunës të nivelit të mesëm, deri te niveli i drejtorëve, sikundër veproi në rastin e Gërdecit! Edhe këta, sikur të rrasen në burg, nuk do të guxojnë të hapin gojën e të thonë se me shkresa dhe me informacione kanë njoftuar disa herë jo vetëm ministrinë, po edhe kryeministrin! *** Në këtë zallamahi biblike doli një grua e tha se nuk pranon të ikë nga shtëpia se ajo tashmë “është mësuar me përmbytje të tilla”...Pra, ajo (dhe natyrisht jo vetëm ajo është ambjentuar me fatkeqësitë dhe përmbytjet, të cilat përsëriten vit për vit), shpreson se edhe kjo përmbytje, pavarësisht se është më e rëndë se kurdoherë, do të kalojë...Padashje kjo grua ka shprehur atë që ndjejnë dhe përjetojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që janë: AMBJENTIMIN tonë të kollajshëm me Të KEQEN! Sipas kësaj logjike ne sivjet jemi keq, por në diktaturë ama ishim akoma më keq! Sivjet ne u përmbytëm, por ama nesër do të bëhen diga në Bunë, nesër do të marrim viza, nesër do të dëmshpërblehemi.....nesër ... nesër....do të na vijë Berisha dhe zonja Jozefinë të cilët mund të kenë gabuar, por ama ata janë “demokratë”, sepse nuk shkojnë nëpër kazino e nëpër pabe të Greqisë kur ne përmbytemi, por vijnë dhe na qajnë hallin të veshur madje edhe me çizme!... Kulmi i kulmeve kur, në këtë atmosferë kataklizmoje, del një korrespondent e raporton në mes të rrugës nacionale, në hyrje të Shkodrës së përmbytur tejembanë që të na bëjë me dije se shkodranët çuditërisht “tërë këtë atmosferë të përmbytjes po e kalojnë me humor!”...Madje, për ilustrim, sa kohë që korrespondenti po na jepte këtë “haber me humor”, u shfaqën të filmuar edhe disa banorë që ndërkohë po hidhnin grepat e peshkimit në Bunë... Të jetë kjo një tjetër tallje me shkodranët (njëlloj si më 2 Prill) që tregon për të disatën herë se shkodranët me kulturë të lashtë do të mbeten sërish te niveli i barcaletave?! *** Ndërkohë si një lajm i gëzuar dhe shpresëdhënës erdhi haberi që do të na mbërrijnë disa ekspertë nga Italia, madje edhe një nga Gjermania!...Shyqyr që do të na vijnë ekspertët e huaj që na kanë mësuar deri tash se si “duhet të zihet kosi”! Madje thirrje i qënka bërë për ndihmë edhe NATO-s! Por këta ekspertë, derisa të hapin hartat e të studjojnë projektet, derisa të shohin portat, të masin nivelin e ujërave, derisa të bëjnë parashikimet e motit dhe të prurjeve, pra derisa të na mësojnë se si mund të dalim nga kjo gjëndje katastrofike, me siguri ujërat do të kenë bërë hatanë e do të kenë mbaruar punë me përmbytjet...Pra, thirrja e ekspertëve të huaj, përveçse është pjesë e një propagande tjetër mashtruese, provon një të vërtetë të hidhur që ka dalë këto ditë: mënjanimi dhe përjashtimi në masë nga administrata i ekspertëve dhe specialistëve vendas! Të gjitha qeveritë në këto njëzet vjet janë sjellë në mënyrë kriminale me administratën dhe sidomos me specialistët! Një punonjës i Kuvendit më tha këto ditë se në Kuvend të Shqipërisë tani flitet vetëm gegnisht, me nëndialektin e Jozefinës! Marrëveshja PD-LSI u bë publike me kusht që kjo parti të merrte 20 % të administratës në nivel vendi! çdo parti që vjen në pushtet të parën gjë që bën (kjo është arma e tyre e vetme!) ndërron nga themelet administratën, që nga rojet e deri te shoferët! Në të gjitha dikasterët qëndrore dhe Bashkitë kryesore të Shqipërisë mosha mesatare rrezik nuk është më shumë se 25- 30 vjeç...çupa e djem të rinj që lyejnë flokët me xhel dalin përditë nëpër ekrane si drejtorë të mëdhenj dhe si ekspertë të fjalës së fundit; ata kanë në dorë fatet e administrimit apo keqadministrimit të pasurisë kombëtare e fondeve publike! Të gjithë këta e dijnë një gjë fort mirë: që në atë post janë vënë nga kryetari, dhe jo nga aftësitë, as nga “masterat”...Aq më pak nga përkushtimi ndaj interesave kombëtare...Sa të ndërrojë pushteti, ata e dijnë që do të ikin, ndaj psikologjia e tyre është përkohëshmëria dhe pasiguria, militantizmi i verbër dhe lepepeqëria, ndaj: o burra, rrëmbe ç’të rrëmbesh! Tashmë u bë mëse e qartë se ekspertët dhe specialistët nuk janë pyetur e nuk pyeten jo vetëm për çështjen e kufijve e të hidroçetraleve, as për çminimin dhe demontimin, as për kulturën dhe trashëgiminë kombëtare (deri aty sa Ministri i Kulturës nuk e di që I.Qemali është varrosur në Vlorë, dhe për më tepër edhe rektori i Vlorës guxon e kërkon heqjen e këtij emri të nderuar nga universiteti)...Niveli i dëshpërueshëm dhe shkatërrimtar i administratës tonë publike duket në gjykatat, në çpyllëzimet, në legalizimet e në kthimin e pronave, në mbrojtjen e lumenjve, në ndërtimet me dhe pa leje, në erozionet e letrat me vlerë, në dëmshpërblimet e të përndjekurve, në ndarjen e pasurisë kombëtare, në urbanizim, kanalizime, hidrovore, etj, pa përmendur nivelin e shkollave, spitaleve dhe ambulancave, që janë në gjëndje mjerane; të gjitha këto tregojnë se ne kemi një administratë publike jo vetëm të paaftë e të papërgjegjshme, por nga keqpërdorimi që i ka bërë dhe po i bën politika, shpesh edhe antikombëtare, pse jo edhe kriminale!...Kriminale jo vetëm që bëhet pjesë e vjedhjes dhe e abuzimeve me tendera dhe me rryshfete, po edhe me mbylljen e syve e të veshëve kur këtij vendi e këtij populli herë pas here i shkaktohen dëme të pallogaritshme, morale, monetare e materiale! Duket si tepër e rëndë kjo që po them, por të heshtësh e të pajtohesh, dhe aq më keq, të guxosh e të dalësh në publik për të mbrojtur abuzime dhe krime si ai i Gërdecit, si rruga Durrës-Kukës apo edhe si kjo përmbytje e radhës, më e pakta që mund të thuash është: kjo administratë e quajtur “publike” është ajo që ka përmbytur sistematikisht dhe pa ndërprerje fatin e Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt demokracisë funksionale! Tek e fundit është kjo administratë e korruptuar e pa pikë dinjiteti profesional, po edhe pa ndërgjegje kombëtare, që ka ngrënë dhe po ha si një lubi fondet e hidrovoreve, të rrugëve, të shkollave e që ka bërë miliona nga blerja dhe nga shitja e energjisë së hidroçentraleve, nga groposja e projekteve....e, më kryesorja, nga djerrëzimi i shpresës sonë për një shtet të së Drejtës! Kjo i leverdis parisë së Tiranës. Këtë synim djallëzor, i cili e bën më të kollajtë, më jetëgjatë e më të sigurt pushtetërimin, krerët tanë “demokratë” e kanë kryer më së miri, prandaj kanë bërë dhe po bëjnë të pamundurën të largojnë e të përsëndyjnë ekspertët dhe specialistët tanë nga administrimi i pasurisë dhe i vlerave kombëtare! Për këtë mjafton të shihet jo vetëm si u shkrinë institutet shkencore dhe Akademia, por si u trajtua guximi qytetar i një specialisti ushtarak për kufirin tonë detar dhe si u quajt arkitekti i portave të hidroçentraleve nga kryeminstri: një “portjer”...!