E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimi, Brukseli: Drejtësia të hetojë me paanësi

Drejtësia të veprojë e pavarur dhe me paanësi. Komisioni Europian i bën apel të qartë Tiranës se duhet të tregohet e kujdesshme për të ndëshkuar të gjithë personat që do të shpallen fajtorë nga drejtësia. Zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, Natasha Butler, deklaroi në një prononcim për ‘Top Channel’ se “ne mbajmë shënim vendimin e kryeministrit Berisha për të pranuar dorëheqjen e parevokueshme të z. Meta si zëvendëskryeministër”. Ajo kujtoi faktin se zoti Meta dërgoi gjithashtu një letër ndaj kryetares së Parlamentit, duke njoftuar se heq dorë nga imuniteti i tij si deputet. Komisioni nënvizon se mirëpret çdo hap që ndihmon punën e hetimit dhe të ndjekjes, si një kontribut pozitiv për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. “Komisioni pret tani që sistemi ligjor në Shqipëri të funksionojë tërësisht në mënyrë të paanshme. Puna duhet bërë pa asnjë pengesë drejt një hetimi të shpejtë dhe efikas, që duhet ndjekur nga Prokuroria, nëse janë me vend, si dhe nga ndëshkimi i të gjithë personave që do të shpallen fajtorë”, insistoi Butler. Në vlerësimin e saj, çështja e një gjyqësori të pavarur dhe zbatimit të shtetit ligjor janë aspektet kyçe të kriterit politik përsa i takon procesit të anëtarësimit në BE. “Shqipëria aplikoi për këtë anëtarësim dhe duhet t'i zbatojë plotësisht këto aspekte. S’mund të shtoj asgjë më shumë përveç çfarë thashë, se ne mbajmë shënim pranimin e dorëheqjes nga Kryeministri. Është vërtet shumë e rëndësishme që të gjitha aspektet e përmendura aty të trajtohen në drejtësi të plotë e të pavarur, brenda sistemit ligjor që ekziston në vend, në mënyrë që të zgjidhet çështja e luftës ndaj korrupsionit dhe Shqipëria dhe të përmbushë synimin për të hyrë në BE”, këmbënguli Butler. KE thotë se pret që Shqipëria, si të gjitha këto vende, të përmbushë të gjitha kriteret, të bëjë progres. “E një nga kriteret kyçe është ai politik, ku çështja e drejtësisë është thelbësore, është thelbësore për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse askush nuk është mbi ligjin. Të gjitha vendet duhet të fokusohen në përmbushjen e kritereve dhe jo momentin, pasi flitet për reforma strukturore që nuk mbyllen brenda një kohe të shkurtër”, theksoi Butler. Zyrtarja europiane shprehu gatishmërinë e KE-së për të ndihmuar Shqipërinë si një vend potencialisht kandidat në drejtim të kryerjes së reformave e që të jetë në lartësinë për t’u bërë anëtare e plotë në BE. Më herët, në një prononcim për mediat, Butler garantoi se për momentin nuk shihet ndonjë risk në financimin e fondeve në kuadër të programit IPA për Shqipërinë. D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›