E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja e Metës, opozita vendos protesta të mëdha

SHKRUAN: Fejzi Braushi 14-01-2011 16:35

Zhvillimet e fundit politike në vend dhe publikimi i videos “Meta-Prifti”, i ka dhënë fund hezitimit të opozitës, e cila ka vendosur dje, që t’i rikthehet nxitjes së reagimit qytetar, si e vetmja mënyrë për të denoncuar aferat korruptive dhe për të larguar qeverinë. Për këtë qëllim, kreu socialist Edi Rama ka thirrur dje tryezën e aleatëve, ku kanë vendosur bashkarisht që të mobilizojnë qytetarët, në një protestë masive në Tiranë, në qendër të së cilës do të jetë pikërisht denoncimi i skandalit që përmban videoja.

Tryeza

Para se t’i drejtohej Asamblesë Kombëtare, kreu socialist Edi Rama ka mbledhur në selinë e Opozitës së Bashkuar aleatët e vet të majtë dhe të djathtë, ku dhe ka konsultuar hapat që do duhet të hedhë më tej, në kuadër të aksionit opozitar. Duket se videoja e shfaqur në media, ku Meta i kërkonte Priftit të shpallte fituesit e preferuar prej tij të një tenderi dhe një koncesioni, ka ndryshuar axhendën e gjithë opozitës. Video-përgjimi i Metës ka zëvendësuar plotësisht kauzën e opozitës, për hetimin e zgjedhjeve, dhe është vendosur prej saj në qendër të gjithë veprimit të saj të ardhshëm, si një çështje që do bëjë të mundur demaskimin e korrupsionit dhe keqeverisjes së pretenduar. Do të jenë pikërisht aferat korruptive, për të cilat flitet në këtë regjistrim, motoja për të cilën opozita do të protestojë në ditët në vijim. Tryeza e krerëve të partive opozitare ka parë të arsyeshme që ta shfrytëzojë këtë rast, për të denoncuar korrupsionin dhe për të përfituar politikisht. Ndaj mënyra më e mirë do të jetë pikërisht protesta masive, që aleatët opozitarë kanë rënë dakort të zhvillojnë në ditët në vijim. Për këtë duket se nuk ka pasur dallime mes krerëve opozitarë, të cilët kanë dhënë pëlqimin për këtë lëvizje të re. Megjithatë, ata nuk kanë caktuar një datë të caktuar se kur kjo protestë do të zhvillohet, duke ja lënë Asamblesë Kombëtare të socialistëve, e cila do të mblidhet sot të vendosë edhe për datën.

Ngjela

Një vendimmarrje të tillë e ka konfirmuar pas tryezës edhe kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i cili duke folur në emër edhe të aleatëve vuri në dukje se opozita do të rifillojë protestat masive në popull, për largimin e qeverisë. “Opozita që nga ky moment i është drejtuar dhe do t’i drejtohet popullit shqiptar, për largimin e menjëhershëm të kësaj qeverie, zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe krijimi i kushteve normale për rifunksionimin e sistemit demokratik në Shqipëri. E konsideron çështjen e demokracisë të rrezikuar totalisht, nga një bandë e cila nuk është më abuzuese, por kriminale”, - tha Ngjela. Ndërkohë që, nëpërmjet tyre, Ngjela ka bërë të ditur se do të kërkohet largimi i qeverisë dhe bërja e zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja mundësi për t’i dhënë fund kësaj situate. “Do fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur protesta në Shqipëri, për realizimin e pikave që thashë, largimin e kësaj qeverie, zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur”, - tha Ngjela, duke theksuar se “videoja e shfaqur për zëvendëskryeministrin aktual, nuk është një rast i shkëputur dhe as i vetëm, por është themeli i një qeverie që abuzon me pushtetin e dalë nga manipulimi i zgjedhjeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›