E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Videoja më erdhi mua më parë, por e refuzova

SHKRUAN: Nevila Perndoj 14-01-2011 16:23

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha reagoi dje, 24 orë pas publikimit të videos korruptive, Meta-Prifti. Kryeministri i vendit u mor gjatë dje me montime e trukime videoje, por pa

u marrë me thelbin e problemit, pikërisht përmbajtjen e saj. “Së pari, dhe njëherë, dua të shpreh vlerësimin tim, për vendimin e zëvendëskryeministrit Meta, për të mos i njohur vetes asnjë imunitet dhe kërkesën e tij për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të problemit. Së dyti, dua të përgëzoj prokurorinë e vendit, e cila vendosi me përgjegjësinë më të madhe, me shpejtësinë më të madhe, hapjen e hetimit për këtë çështje dhe dua ta garantoj se do të ketë çdo lehtësi, jo vetëm për këtë, por për çdo hetim që do të ketë nevojë, ndaj çdo zyrtari të këtij vendi. Ne jemi të vendosur të respektojmë plotësisht dhe tërësisht institucionet e pavarura të vendit, sistemin tonë juridik dhe e them këtë me besim të plotë”, - tha Berisha. Kryeministri, ashtu siç edhe pritej nga reagimi i mëparshëm i PD-së, iu hakërrye kryetarit të opozitës, Edi Rama. “Më duhet të falënderoj, jo pa sinqeritet, Edvin Kristaq Ramën, e them haptas për nderin që më bëri. Me montimin dhe trukimin e videos, Edvin Kristaq Rama dëshmoi se është i biri i të atit, se është aq i pa skrupullt dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim. Por unë ju them qytetarëve shqiptarë, imagjinoni ju se çfarë mund të bëjë ky njeri me ju, po të ketë pushtet, kur ndaj kryeministrit nuk përmbahet dot dhe monton, trukon video dhe dokumente”, - tha Berisha, duke vijuar se një qëndrim i tillë mbahet vetëm nga “larvat e bunkerit të bllokut, neo-bllokmenët”. Berisha pranoi gjithashtu se kishte refuzuar të merrte videon e regjistruar, në kohën kur i ishte ofruar nga ish-ministri Dritan Prifti. “Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çoje ku të duash, është shumë e vërtetë. Është e vërtetë, që janë bërë shumë oferta të tjera, deri tek piramida ku jetoni, që të mos prishet, por kryeministri i këtij vendi as nuk blen dhe as nuk shet. I përmbahet një morali dhe disa parimeve. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë, po ta merrja unë, ju nuk e merrnit, por kjo nuk mund të ndodhte, sepse nuk është morali im. Ndaj dhe ajo që mund të them, edhe njëherë, është se e falënderoj të birin e Kristaqit, që dubloi në këtë rast të birin e Kiços, në çimkëzimin. Çimka ishin ata në bunker, çimka mbetën dhe në liri. Zoti u çliroftë shpirtrat e tyre”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›