E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja, Topi: Prokuroria të bëjë transparencë të plotë

TIRANË- Inkurajimi i Prokurorisë, në hetimin e plotë të përmbajtjes së videos Meta-Prifti, është e vetmja gjë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mund të

bëjë. “Tashmë kjo është një çështje e Institucionit të Prokurorisë dhe, patjetër, inkurajoj Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj, sepse ndonjëherë është e panevojshme të thuhet që inkurajoj Prokurorinë, duke qenë se Prokuroria është një Institucion që ka një ligj. Por, e them këtë për të bërë transparencë. Pra, inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje, që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë, dhe këto ngjarje duhet patjetër të certifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave. Pra, kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t’i bëj, u takojnë të tjerëve”, - tha dje Presidenti i Republikës, pas një vizite të zhvilluar në qytetin e Pogradecit. Presidenti i vendit nuk i ka shtuar asnjë qëndrim tjetër komentit në fjalë, duke kujtuar, se nga pozicioni që ai ka, nuk mund të japë vlerësime politike. “Unë jam President i Republikës dhe i trajtoj çështjet me shumë rigorozitet në sensin ligjor dhe institucional. Fakti që kjo çështje është në dorë të Prokurorisë, pra, le ta lemë Prokurorinë të punojë, por edhe të bëjë transparencë, transparencë në të gjithë procesin”, - shtoi ai. Presidenti i Republikës foli edhe në cilësinë e kryetarit të KLD-së teksa u pyet për çështjen Gërdeci. “Ka një kontroll të fundit, nga përfaqësues të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe besoj që pas dy-tri ditësh do të keni një komunikim të drejtpërdrejtë për këtë çështje nga përfaqësuesi i KLD-së, pra, do të keni një informacion të plotë ligjor, lidhur me kontrollin, me situatën. Sigurisht që çështjet që kanë të bëjnë me ngjarje, sikurse është çështja e Gërdecit, patjetër që kanë edhe një ndjeshmëri të lartë publike. Janë bërë njëqindepesë seanca. Një pjesë e këtyre seancave kanë dështuar për shkak të mosmarrjes pjesë të avokatëve dhe, nga informacionet që kam, jo gjithmonë në mënyrë të justifikuar. Por le të lemë përfaqësuesin e KLD-së, i cili do të flasë në mënyrë të posaçme për këtë çështje, besoj në fillim të javës”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›