3 Arsyet e dorëheqjes së Ilir Metës
TIRANË- Ka qenë një natë e gjatë për Ilir Metën, ajo e së enjtes, ku duhet të bënte, për herë të tretë gjatë karrierës së tij politike, dorëheqjen nga postet më të larta qeverisëse. Ndërsa publikisht kishte njoftuar heqjen e imunitetit, ai nuk i qëndroi as 24 orë deklaratës së tij se, do të dorëhiqej më 28 qershor të vitit 2013. Dje, në orën 10:00 të paradites, ende pa filluar Asambleja Kombëtare e PS-së, ku Rama do të paralajmëronte një tjetër aferë korruptive, kryetari i LSI-së, Ilir Meta u ngjit në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, për të dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Këtë e konfirmoi edhe shefi i qeverisë, Sali Berisha, përmes një konference për shtyp të mbajtur pak orë më vonë nga dorëheqja zyrtare.
Arsyet
Dorëheqja e Ilir Metës, edhe pse u përcoll nga ai dhe kryeministri, si një lëvizje e menduar që në momentin kur u publikua videoja, duket se ka më shumë lidhje me situatën pas transmetimit të videos. Në dy ditët që pasuan publikimin e kasetës, presioni mediatik dhe publik erdhi në rritje, çka u vu re qartë nga kryeministri dhe ish-zëvendësi i tij dhe për pasojë solli një reflektim. Një arsye tjetër e dorëheqjes së paparalajmëruar të Metës, sipas burimeve nga maxhoranca, ka të bëjë edhe me situatën paraelektorale ku është futur vendi. Mosdhënia e dorëheqjes do të kishte kosto jo të vogël për zgjedhjet lokale dhe më së shumti në Tiranë, ku dhe lufta politike do të jetë më e ashpër.Si shkak tjetër të kthesës së papritur të Metës, dje palët jepnin dhe atë çka në fakt vetë Dritan Prifti paralajmëroi në “Top Story” se të tjera video do të bëheshin publike, ndërkohë që dje paradite, për herë të parë, kryetari i opozitës, Edi Rama, i drejtoi një pyetje publike kryeministrit të vendit, lidhur me disa dokumente komprometuese. Ndërkaq, kreu i ekzekutivit, e ka pranuar sa hap e mbyll sytë dorëheqjen e Metës, ndërkohë që një lëvizje e tillë u hodh në publik si një standard moral dhe mundësi që drejtësia shqiptare të hetonte e lirë, pa qenë në presion.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në konferencën për shtyp, të mbajtur rreth orës 14:00, se koalicioni me LSI-një ishte koalicioni i suksesit dhe se dorëheqja e Ilir Metës nuk do të ndryshonte konfigurimin e qeverisë. “Ky është koalicioni më i suksesshëm në historinë e vendit, ky është koalicioni më eficent që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend”, - tha Berisha. Kryeministri i vendit përmendi edhe pazare që, sipas tij, Rama kishte ofruar në këmbim të kasetës. “Edvin Kristaq Rama bëri çdo gjë, që me atë video të ritakonte kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe zëvendëskryeministrin, duke i ofruar postin e kryeministrit, duke i bërë çdo lloj oferte, por në këtë përballje, fatkeqi Rama, kryeçimka mjerane e vendit, nuk kuptonte se cili është dallimi midis burrit dhe çimkës, këtu i gabojnë llogaritë atij. Larva e bunkerit të bllokut, nuk mund të realizonte dot, se tjetër është burrëria dhe karakteri, tjetër është çimkëria dhe larva e bunkerit. Pra nuk arriti, rezistoi me një vendosmëri të plotë, një bande, një kupole mafioze, që ka ngërthyer kreun e Partisë Socialiste, një aleance puniste mafioze, kryesuar nga Rama, të përbërë nga Doshët dhe grupi i bosëve, të krimit, të drogës dhe parave të pista”, - tha ai. Berisha shtoi se, biseda mes tij dhe Metës ishte përqendruar në angazhimin e përbashkët për të fituar bashkinë e kryeqytetit. ”Diskutuam gjerësisht për angazhimin e mëtejshëm të këtij koalicioni, së pari fitoren e sigurt të zgjedhjeve lokale dhe natyrisht shpëtimin e Tiranës nga njeriu që e ka shndërruar këtë kryeqytet në betonin e klaneve që e udhëheqin, që e detyrojnë, që e kanë peng. Kështu, që koalicioni vazhdon me objektivat e tij të palëkundura në rrafshin e integrimit, në rrafshin politik, në rrafshin ekonomik, në rrafshin social”, - tha Berisha. Kryeministri komentoi gjatë edhe pjesën e shkëputur nga videoja, ku biseda reale rreth kreut të ekzekutivit kishte lidhje vetëm me zëvendësimin e ish-drejtorit të KESH-it, Edmond Stojku, si rezultat i marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së. “Unë kisha të gjitha mjetet, për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën. E dhanë vetë ata që mashtruan, është punë e tyre. Unë nuk bëra asnjë presion, por ai ishte një akt shumë i shëmtuar, për të cilin unë nuk bëj përgjegjës gazetarët. Unë bëj përgjegjës atë që drejton aty, si një padron i egër, si një padron që faktikisht nuk më vjen gjë tjetër, vetëm keqardhje, sepse po e dëmton median...”, - shtoi ai. Berisha iu përgjigj edhe kërkesës së kryetarit të LDK-së, Nikoll Lesi, për të ndryshuar kabinetin qeveritar. “Zv/ministri Lesi mund të ketë shumë idera. Çështjet e analizave të kabinetit qeveritar dhe të Këshillit të Ministrave janë atribute kushtetuese të kryeministrit, por as dhe të ministrave, por vetëm të Kryeministrit”, - tha Berisha.