E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videopërgjimi Prifti në Prokurori për herë të dytë

TIRANE- Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, është paraqitur sërish sot në Prokurorinë e Tiranës. Kjo është hera e dytë brenda pak ditesh që ish -ministri Prifti shkon në prokurorinë e Tiranës pas publikimit në media të kasetës filmike, që përmban bisedën e përgjuar mes tij dhe ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Përgjimi është kryer nga vetë ai në ambientet e ministrisë së Ekonomisë.Gjatë bisedës së përgjuar Meta i kërkon Priftit të anulojë tendera si dhe të punësojë si inspektor i një të njohuri të tij.

Prifti është paraqitur në godinën e organit të akuzës rreth orës 13.00 dhe ka qënduar atje për 30 minuta. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj mbi bisedën e bërë me prokurorët e njësisë së task forcë të cilët tashmë kanë në dorë videopërgjimin. 

Një javë më parë Dritan Prifti u paraqit në Prokurori për të dorëzuar kasetën origjinale si dhe për të dhënë sqarime në lidhje me videon.

Ndërsa një ditë më parë në një konferencë për shtyp ish ministri i Energjetikës deklaroi se këto ditë do të paraqitej në prokurori për të denoncuar aferat e Ilir Metës, gjatë 3 muajve që ky ka qenë në postin e Ministrit të Energjetikës si dhe pasuritë e paligjshme të tij.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›