Vidhet ikonostasi i Kishës së Shën Thanasit
KORÇE – Vidhet edhe pjesa e mbetur e ikonostasit të kishës së Shën Thanasit në Voskopojë duke shënuar dhunimin për herë të pestë të këtij objekti kulti. Persona ende të panjohur kanë hyrë natën në ambientet e kësaj kishe dhe kanë arritur të përvetësojnë që aty disa objekte të mbetura nga vjedhjet e mëparshme. Vjedhja është konstatuar vetëm mëngjesin e së shtunës, kur si zakonisht roja i kësaj kishe ka shkuar për të kryer shërbimet e rastit. Edhe në këtë vjedhje, që është e pesta për sa i përket dhunimit të kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, grabitja që kanë kryer personat ende të panjohur dhe të paidentifikuar prej policisë ka qenë për objektet e mbetura që i përkasin ikonostasit të vjetër të saj. Një vit më parë u vodhën disa nga ikonat e këtij ikonostasit të vjetër mbi 300-vjeçar dhe me vlerë, ndërkohë që nga kompleti me 13 ikona kishin mbetur një pjesë e vogël e tyre, pasi ai është vjedhur dy herë në vitet e fundit. Sipas Policisë së Korçës, persona të paidentifikuar në orët e vona të natës, kanë shkallmuar dyert e kishës dhe kanë vjedhur të plotë ikonostasin që ka mbetur në këtë objekt të vjetër të shekullit XVIII. Prifti i kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, At Thoma Samaraj, tha se dyshohet që vjedhja të jetë kryer nga të njëjtët autorë, sepse është vjedhur pjesa e mbetur e ikonostasit, ndërsa gjysma e tij ishte vjedhur rreth një viti më parë. g.a