Vlorë, çelet sezoni, Gjika: Turizmi, jo vetëm në verë
Ditët e ngrohta kanë favorizuar nisjen e plazhit në Vlorë, para çeljes zyrtarisht të sezonit turistik.Dje, kryebashkiaku Gjika, mes festimesh shpalli dhe çeljen e sezonit, duke e shndërruar ditën një festë të vërtetë. Kryebashkiaku uroi një sezon të mbarë këtë verë, ku në Vlorë priten të mbërrijnë mijëra turistë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe vende të ndryshme të Europës. Vlora është cilësuar si mbretëresha e turizmit, titull të cilin do vazhdojmë ta mbajmë edhe në të ardhmen, u shpreh Gjika. Teksa e konsideroi si qendrën më të rëndësishme të Jugut, kryebashkiaku theksoi se Vlora ka nevojë për hapa të mëtejshëm për zhvillimin e turizmit kulturor, malor dhe arkeologjik. Duhet ti japim rëndësi sidomos pjesës së historisë, për të pasur turizëm jo vetëm në sezonin e verës, por dhe në sezonin dimëror. Turistët duhet të vijnë jo vetëm në verë për detin, por edhe në dimër, pra në të 12 muajt e vitit. Ne këtë do ta arrijmë me punë, u shpreh Gjika. Grupet e ftuara të këngëtarëve e valltarëve janë ngjitur më pas në skenën e vendosur në zonën e Ujit të Ftohtë, për të performuar me pjesët e tyre më të mira. Plazhi publik është mbushur dje me plazhistë, pasi temperaturat kanë qenë të volitshme për një ditë të këndshme. Ndërkohë që aktivitetet kanë vijuar përgjatë të gjithë ditës. Festivali Aulona Internacional Folk do të vijojë përgjatë tri ditësh në Vlorë, ndërkohë që këto ditë janë të mbushura me aktivitete në kuadër të çeljes së sezonit në Vlorë. Mesi i muajit maj përkon çdo vit me hapjen e sezonit turistik në Vlorë. Pasditja mbajti dje të mbërthyer shumë qytetarë në zonën e Skelës. Një grup motoristësh ishin prezent me performancat e tyre, për të vijuar më pas me një koncert të ritmeve rock. Parashutistët përshëndetën gjithashtu përgjatë gjithë ditës, si pjesë e kampionatit të aeronautikës. Festimet nisën fillimisht në Sheshin e Flamurit. Grupet e kanë mbushur Sheshin e Flamurit, fillimisht në një nderim të varrit të Ismail Qemalit, ngritjes së flamujve të shteteve të tyre përfaqësues e, më pas janë bashkuar në një valle gjigande nën ritmet e muzikës së Shqipërisë së Jugut. Ritmet shqiptare u kërcyen nga përfaqësues të ansambleve nga Turqia, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, arbëreshët e Italisë etj.
Ksamili mbushet me vizitorë
SARANDE/ Dhjetëra autobusë me mbi 1 mijë vizitorë, kryesisht nga kryeqyteti, mbërritën dje në Sarandë. Ata janë përqendruar më së shumti në qytezën e Ksamilit. Autobusë me targa të ndryshme të vendit zbrisnin kryesisht gjimnazistë, të cilët kishin ardhur për të kaluar fundjavën. Nxënësit bashkë me mësuesit kanë qenë të parët e këtij sezoni turistik që bashkë me rrezet e ngrohta të majit kanë provuar edhe ujin kristal të detit të Ksamilit.
Besnik Abedini, kreu i sapozgjedhur i komunës së Ksamilit, u shpreh se këtë sezon turistik do të ketë një ambient të pastër. Synimet e mia janë afatshkurtra për një Ksamil të pastër, në zbatim të një plani konkret për sezonin, me qëllim ndryshimin e imazhit të zonës bregdetare, e cila mjaft herë është anatemuar për mjedis të ndotur. Në axhendën e tij të punës, kryetari i sapozgjedhur theksoi se ka në plan të parë çeljen e një zyre turistike në shërbim të vizitorëve që do të mbërrijnë këtë sezon.
VLORE/ QEMAL BIRAKU