E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet Uester Union, autorët ende të paidentifikuar nga policia

05/02/2009  Prishën murin e godinës, e cila ndodhet 50 metra larg Drejtorisë së Policisë Fier

FIER- Ka qenë ora 4 e mëngjesit të ditës së djeshme kur persona ende të paidentifikuar nga polica fierake kanë grabitur filialin e degës së Uester Union, e cila ndodhet në lagjen “11 Janari” të qytetit të Fierit, jo më larg se 50 m larg Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier. Grabitja ka ndodhur brenda filialit, i cili ndodhet në Ish-Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier, në bulevardin kryesor të qytetit. Grabitja është diktuar vetëm rreth orës 07:00 të mëngjesit kur punonjësja e filialit ka hyrë në zyrë për të kryer punën e saj të përditshme. Ajo ka diktuar vjedhjen dhe shkatërrimin e murit të jashtëm të filialit nga ku kanë hyrë vjedhësit dhe menjëherë ka lajmëruar policinë, e cila mbërriti në vendngjarje. Filiali gjatë orëve të natës nuk ka pasur në arkë asnjë monedhë shqiptare ose valutë, pasi këto tërhiqen çdo ditë nga punonjësja e shërbimit. Keqbërësit janë futur në pjesën e pasme të ndërtesës, pasi kanë prishur murin e jashtëm të saj. Përveç filialit të Uester Union, aty ndodhet edhe një agjenci udhëtimesh, si dhe kryhet edhe këmbimi valutor. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të krimit ekonomik nga Drejtoria e Policisë së qarkut Fier, të cilët kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, keqbërësit kanë mundur të marrin një numër të madh kartash të telefonave celularë, si dhe karta rimbushëse të platformave televizive. Deri tani ekspertë të krimit ekonomik nuk kanë përcaktuar qartë dëmin që është shkaktuar gjatë orëve të para të mëngjesit. Autorët e kësaj vepre penale janë larguar me shpejtësi dhe ende nuk është bërë identifikimi i tyre. Ekspertë të policisë së Fierit, pasi kanë marrë në pyetje punonjësit e filialit të Uester Unionit, po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›