E Diel, 1 Nëntor 2026

Në protestë studentët e Infermierisë, u është mohuar e drejta e masterit

05/02/2009  Ata pohuan se në fillim të studimeve u është deklaruar se do të jetë sistemi 3+2

DURRES- Dhjetëra studentë e studente janë bërë firmëtarë të një peticioni drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe Kryeministrit të vendit Sali Berisha. Studentë të Shkollës së Lartë të Infermierisë në Universitetin e Durrësit kanë dalë dje në protestë, duke vijuar të ndjekin të njëjtët hapa si dhe studentët në Tiranë. Shkak për këtë ka qenë kërkesa për të njohur fakultetin e tyre si Fakulti i Shkencave të Aplikuara. Studentja Miranda Halluli ka thënë se “dega jonë e infermierisë bën pjesë në Shkollën e Lartë Profesionale dhe kohët e fundit kemi mësuar se studimet 3-vjeçare nuk mund të pasohen më tej me të drejtën tonë për të fituar e bërë master”. Sipas saj, përgjegjësia duhet kërkuar në kohën e dhënies së statusit të këtij universiteti. Studentëve fillimisht u është thënë se Universiteti i Durrësit do të operojë në bazë të Kartës së Bolonjës. “Kjo ka qenë një arsye më shumë që ne zgjodhëm këtë universitet”, - ka thënë Halluli. Studentët kanë thënë se në kohën e fillimit të studimeve u është deklaruar se shkalla e nivelit arsimor ishte 3+ 2, ndërkohë që rektori Agim Kukeli në Durrës u ka deklaruar se ky fakultet e mbyllte të gjithë ciklin në 3 vjet. Ata e kanë orientuar protestën e tyre në adresë të Ministrisë së Arsimit, së cilës i kërkojnë ndryshimin e emërtimit të fakultetit. Të gjithë studentët e Infermierisë kanë thënë se rektorati u ka bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk mund të vijojë studimet për master dhe as të thellojë njohuritë në një fakultet të dytë. Ata kanë pohuar se në Tiranë studentët e Infermierisë kanë tjetër status, të cilin e kërkojnë edhe studentët e Durrësit. Me përfundimin e sezonit të parë të provimeve ky fakultet pritet të kalojë në protesta masive, pasi studentët kanë deklaruar se nuk kanë ndër mend të pajtohen, së paku me ato që deri tani u kanë thënë dekanët e rektori. Firmëtarët e peticionit janë shprehur të gatshëm të bisedojnë me krerë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe janë deklaruar se Kryeministri Berisha do të reagojë në kohën e duhur, duke u dhënë zgjidhje problemeve. Ata kanë pohuar se do të vazhdojnë protestat nëse nuk u zgjidhen kërkesat e tyre dhe gjetjen e një zgjidhjeje të favorshme për ta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›