Vidhet për skrap shtylla e tensionit të lartë
Një vjedhje e rrallë është realizuar mbrëmjen e të enjtes në afërsi të fshatit Çukë. Një nga shtyllat e tensionit të lartë, është shkulur me mjete të rënda, pa lënë asnjë gjurmë, duke shkaktuar mbetjen në errësirë për orë të tëra të gjithë zonës së banuar. Një grup vjedhësish që, çuditërisht nuk kanë lënë asnjë gjurmë, kanë shkulur nga vendi një shtyllë të tensionit të lartë dhe janë larguar pa u diktuar e shqetësuar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Çukë, pranë antenave të ish-radiostacionit. Se çfarë kishte ndodhur është marrë vesh pas mbetjes pa ndriçim elektrik të banorëve të fshatit Çukë e fshatrave të tjerë përreth dhe të blloqeve të banimit në afërsi me zonën e dëmtuar në qytetin e Sarandës. Ka qenë vetë drejtori i OSSH, Arben Kasapi, që e ka denoncuar këtë veprim në sallën operative të Komisariatit të Sarandës. I shqetësuar, ai sinjalizoi se "në afërsi të Çukës, tek antenat, është vjedhur me shkulje një shtyllë betoni e tensionit të lartë 10 kilovolt". Sipas drejtorit Arben Kasapi, shtylla e vjedhur ka qenë e fundit në ecurinë e kësaj linje elektrike. Ai tregon se me të rënë në tokë shtylla, automatikisht, janë stakuar çelësat në nënstacionin elektrik të Sarandës, duke u bërë automatikisht edhe ndërprerja e energjisë elektrike. Për rreth 3 orë, zona ka qenë pa energji elektrike, derisa u bë i mundur rregullimi i kësaj linje. Pas shkuarjes në vendngjarje të grupit hetimor, mësohet se shkulja e shtyllës me lartësi 10 m, është bërë me vinç dhe pas kësaj ajo është tërhequr zvarrë, duke shënuar kështu një vjedhje të pazakontë.