Endri & Xhanfise Keko përmes një albumi fotografik
Më shumë se tridhjetë vjet pas kamerave, më shumë se tridhjetë vjet në sheshin e xhirimit, një jetë për kinemanë... Endri dhe Xhanfise Keko nuk mund të flasim më me fjalë, por çdo herë gjendet një shkak që të ngacmon për ta. Rrjedhimisht për xhirime, filma, dokumentarë, për aktorë të njohur, për fëmijë dhe kujtime. Së fundmi është një album fotografik që i kthen si protagonistë. Një botim për të dy. Në kopertinën e bardhë lexohet lehtësisht "In memoriam; Endri & Xhanfise Keko, Artistë të Popullit". Një album i plotë mundësuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Arkivit të Filmit dhe bashkëpunëtorë të tjerë privatë. Ka dalë në dritë rreth një muaj më parë. Në të vetmen datë të përbashkët të dy kineastëve, më 20 shtator. Në këtë ditë shënohet martesa e tyre. Në heshtje, pa ndonjë promovim të bujshëm ka shkuar në duart e kolegëve e miqve, por edhe të institucioneve shtetërore. Nuk është vetëm nismë e një kujtimi, ashtu siç shënon në faqen e brendshme. Është një dokumentim i shteruar për gjithë krijimtarinë e tyre ndër vite. Nis me foto e tek-tuk ndonjë dokument që dëshmon fëmijërinë e të dyve. Nga 1924-a deri më 1949-n, për Endri Kekon dhe nga 1929-a deri më 1949-n për Xhanfisen, atëkohë firmoste ende me mbiemrin Çipi. Viti 1950 shënon për të dy rrugën drejt ëndrrës, kinematografisë. "Deri në moshën 14-vjeçare nuk kisha parë kinema me sy. Në Ddardhën time të dëgjuar e të bukur vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ato të sillnin ndonjë film. Kinemaja ime dhe e shokëve të mi e atyre viteve ishte e ashtuquajtura ‘karagjuzë‘, pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë me mjetet dhe mënyrat më primitive. Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite, kur kishte shumë fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim për filmin, kinemanë. A mund të më shkonte mua ndër mend se do të vinte një ditë që të bëhesha regjisor filmi?" Janë pak rreshta të shkëputura nga kujtimet e Endri Kekos. Në vazhdim, ka një sërë faqesh të tilla, mendime të të dyve lidhur me realizime të caktuara apo momente kthese në krijimtari. Po për këtë ëndërr, që ata nisën e me të cilën mbyllën jetën, shkruan edhe Xhanfise Keko. "...Me fillimin e punës në Ndërmarrjen Kinematografike, duhen kërkuar edhe fillimet e fatit tim të ardhshëm. Një ditë pune të vitit 1949, krejt papritur, unë e pashë emrin tim në një listë krah pesë të rinjve të tjerë, të gjithë të moshës nga 20-27 vjeç, të cilët do të dërgoheshin në Moskë për të ndjekur një kurs fotografie. Jam e sigurt, se po të isha në shkollë, askush nuk do të kujtohej se ekzistonte një arkëtare kinemaje e jo më ta vendosnin në listë për t‘u specializuar jashtë shtetit. U befasova dhe u habita, pasi nuk e kisha parë as në ëndërr, pa le më të mendoja se një ditë mund të studioja për kinematografi...". Më tej faqe të tëra janë të mbushura me filmografinë. Në një renditje kronologjike sipas viteve, për çdo realizim janë të dhënat e sakta. Vitet e para gjen vetëm Endri Kekon. Filmat dokumentarë, kinoreportazhet apo kinozhurnalet. Xhanfiseja s‘ka nisur ende me krijimtarinë. Në fillim si asistente-regjisore deri sa në vitin 1963 realizon filmin dokumentar "Tregim për njerëzit e punës", të cilin ajo vetë e quan punën e saj të parë të pavarur. Faqe të tëra të këtij albumi janë të mbushura me dëshmi fotografike. Momente nga filmat, nga sheshet e xhirimit, fotografi të rralla të nxjerra nga fondi i familjes. Krah tyre, për secilin realizim gjen shënime të kolegëve, gazetarëve apo të kritikëve të kohës. Mes dosjesh janë rrëmuar edhe shënime që linin në skenarë, dorëshkrime që sillen në këtë album përmes faksimileve. Mes faqeve, herë-herë edhe copëza kujtimesh nga ta. "Është një botim dinjitoz ku mbizotëron aspekti filmik, por edhe ato pak vlerësime që kolegë, gazetarë apo kritikë të kohës kanë dhënë për punën krijuese të këtij çifti që qëndron në themelet e Kinostudios. Është dokumentimi i një krijimtarie të madhe. Xhanfise Keko do të kujtohet shumë gjatë, sepse është nga të rrallat regjisore që iu kushtua botës së fëmijëve. Është interesante të studiohet mënyra se si ajo ka punuar me fëmijët, sepse ne që jemi të fushës e dimë se sa e vështirë është të punohet me ta. Fakti që edhe sot, televizionet shtetërore apo private kanë interes të shfaqin filmat shqiptarë, e veçanërisht të Xhanfises, prodhime në të cilat nuk gjen ideologjizim, është një tregues i vlerës së tyre", shprehet regjisori Piro Milkani. Një dokumentim i plotësuar me detaje, pjesë e këtij albumi janë edhe disa foto personale e familjarëve të kohëve të fundit. Ndërsa disa shënime kolegësh, miqsh e gazetarësh mbyllin faqet e këtij botimi që i sheh bashkë këtë çift kineastësh. "Endri Keko e donte si jetën kinematografinë dhe gëzohej si fëmijë për ecjen e saj, se vetë ishte një nga pionierët e parë të lindjes së këtij arti të ri në vendin tonë. Ai ishte i pari që krijoi kronikën kinematografike dhe filmin dokumentar...", shkruan Dritëro Agolli. Do të ishin shumë ata që i njohën apo që u rritën me krijimet e tyre, që do të shënonin disa rreshta. "Nuk është e lehtë të tregosh se si një ditë prej ditësh, një djalosh nga Dardha dhe biletat e vogla të kinemave, u shndërruan në duart e Endri dhe Xhanfise Kekos, në celuloidin e parë shqiptar. Ky botim nuk ka zgjedhur të tregojë efektet e një përralle, as interpretimet dhe shpjegimet subjektive. Ai dëshmon punën kolosale të dy të rinjve shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore në fushën e kinematografisë, nëpërmjet të dhënave dhe fakteve që rreshtohen si gurë monumentalë dhe të palëkundshëm. Çdo popull ka pionierët e vet të parë të kinematografisë. Nëpërmjet filmografisë, të dhënave biografike, fotografive të rralla, jam e sigurt se publiku shqiptar nëpërmjet të dhënave për çiftin Keko do të ndiejë të dhëna që kthehen në dyfish kuptim jete nëpërmjet kinematografisë. Kjo sigurisht që është diçka e rrallë, por ama jo një ëndërr, por një pasuri e dokumentuar. Jemi me fat që sot e nëpërmjet këtij botimi e shohim Xhanfise Kekon të fotografuar me fëmijën e parë, si madonë e modernitetit dhe ky botim na bën edhe më koshientë për këto shenja moderniteti që na dhuron kinemaja e krijuar me duart tona, pavarësisht nga shtysat dhe premisat historike. Ne që e duam dhe pothuaj jemi fëmijë të frymëzuar prej imazhit, do të kemi nevojë gjithë jetën edhe për fotografinë e Xhanfise Kekos, në një pushim xhirimi...Dëshmitë e këtij botimi janë të shumta dhe vijnë në pragun e 85-vjetorit të Endri Kekos dhe 80-vjetorin e Xhanfise Kekos. Ky botim i ndjek ata hap pas hapi dhe tregon se njerëzit kanë nevojë të skalisin së bashku me kartat e tyre të identitetit edhe kujtesën e tyre kulturore kolektive pa të cilën nuk mund të kapërcejnë dot në histori. Ky botim na mëson se sa me seriozitet dhe përkushtim mund të punojnë institucionet kulturore, të cilat i kanë shumë borxhe përjetësisë shqiptare. Për këtë kemi fatin të falënderojmë në mënyrë të veçantë Ilir Kekon, autorin e këtij libri, i cili na ofron një përkushtim të cilin nuk e hasim në lidhje me studimet kinematografike deri sot", shprehet poetja Natasha Lako. Në fakt, janë "rrëmuar" dosje të tëra, shënime, fotografi në arkivin personal apo atë shtetëror për t‘u shfletuar brenda albumit të bardhë.