Trafiku, zbulohet grupi me 12 anëtarë

Trafiku i drogës nga Lazarati me mushka
GJIROKASTER – Grupi kriminal që shkëmbeu zjarr me Policinë e Gjirokastrës e cila zbuloi trafikimin e 144 kg marijunanë, mbahej në survejim prej tre muajsh. Mësohet se banda aktive prej 5 vitesh e ka qendrën e saj në Delvinë dhe në përbërje ka 12 persona. Dy janë nga Lazarati dhe të tjerët nga Delvina. Pjesëtarët lazaratas merren kryesisht me sigurimin e lëndës narkotike në fshat, duke e blerë të gjithë sasinë e marijuanës nga kultivuesit me çmim që varijon nga 300-400 euro për kg. Ata mbanin përgjegjësi për transportin e drogës deri në kufirin administrativ me Delvinën, pikërisht në majën e Sopotit. Më pas, pjesëtarë të tjerë të bandës merreshin me transportin nga Sopoti në Delvinë në një zonë afër Rusanit dhe, prej andej, malli narkotik paketohej në pjesë të ndryshme sipas porosisë. Banda është e pajisur me mjete logjistike transporti dhe me armë zjarri për ta mbrojtur mallin në rast nevoje. Lënda narkotike kalonte përmes kufirit me Sarandën në drejtim të Igumenicës. p.n