Vieira në Man City

Patrick Vieira ka kompletuar transferimin në Manchester City nga kampioni i Italisë, Inter. Të premten, reprezentuesi francez është bërë përforcimi i parë i menaxherit të ri të Manchester Cityt, Roberto Mancini, dhe ka nënshkruar kontratë gjashtëmujore me mundësi vazhdimi për një vit tjetër. Kontrata e 33-vjeçarit në Inter ishte paraparë të skadojë gjatë verës, ndërsa ish-kapiteni i Arsenalit ishte i vendosur të kërkojë paraqitje të vazhdueshme në përpjekje të zërë vend në Kombëtaren e Francës për Kampionatin Botëror.
Vieira 33-vjeç, në City do të bartë fanellën me numrin 24, ndërsa pritet të përfitojë 145 mijë euro në javë.
“Jam kthyer në Angli, sepse mendoj se City është klub me ambicie të mëdha. Ende kam ëndrra në futboll dhe njëra prej tyre është të kthehem në Premierligë dhe të fitoj titullin. Kam ardhur për të dhënë diçka për klubin dhe besoj në fuqinë e ekipit dhe mundësinë të fitojmë tituj”, deklaroi Vieira.
Mancini i cili kishte punuar me Vieiran në Giuseppe Meazza, ka thënë për uebfaqen zyrtare të klubit www.mcfc.co.uk:
“Patrick është mesfushor i klasit botëror me mentalitet fitues dhe do të përshtatet shumë mirë në ekip. Ai më njeh shumë mirë dhe është me rëndësi se ka njohuri për gjithçka në Premierligë. Nuk do t’i nevojitet kohë për t’u përshtatur. Patrick është njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të gjeneratës së tij, i cili ka fituar shumë tituj në karrierën e deritashme. Jam i sigurt se tifozët e Cityt do ta presin ngrohtë dhe do të jenë të kënaqur me kontributin që do të bëjë ai”.
Vieira iu bashkua Arsenalit nga Milan më 1996 dhe u bë anëtar kyç i ekipit të Topxhinjëve që fitoi tre tituj në Premierligë dhe katër FA Cup. Ai kaloi në Juventus më 2005 dhe kaloi një sezon në klub që fitoi Scudetton, para se ta humbë atë për përfshirje në skandalin për kurdisje të ndeshjeve dhe u përjashtua në Serie B.
Vieira më pas kaloi në Inter ku fitoi tre tituj në Serie A dhe dy Kupa të Italisë. Ai ka bërë 107 paraqitje me Francën dhe fitoi Kampionatin Botëror 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000.