E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vieri në Brazil?

Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 11:31

Christian Vieri po mendon për rikthim në fushën e blertë. Sulmuesi italian, i cili nuk luan qe një kohë të gjatë, ka vendosur që në moshën 37-vjeçare, t’i kthehet profesionit të tij jetësor, me të cilin u bë yll në Itali dhe më gjerë.

Sipas mediave të huaja, ish-përfaqësuesi italian e ka zgjedhur Brazilin, për vazhdimin e karrierës së tij.

Më saktësisht, ekipin Boavista nga Rio de Janeiro, një skuadër gjysmë-profesioniste, e cila luan në kampionatin rajonal, përkatësisht në ligën e tretë braziliane.

Drejtori gjeneral i këtij klubi, Joao Paulo Magalaes Lins, i ka thënë magazinës Lance se Vieri po stërvit qe një muaj me ekipin brazilian dhe se e ka shprehur dëshirën që ta veshë fanellën e këtij ekipi.

Sezoni i ri do të fillojë më 19 janar dhe futbollisti nga Bologna e Italisë mund ta bëjë debutimin e tij me klubin brazilian. Në të kaluarën, Vieri ka luajtur në 12 skuadra të ndryshme si: Torino, Pisa, Ravenna, Venezia, Atalanta, Juventus, Atletico Madrid, Lazio, Inter, Milan, Monaco e Fiorentina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›