Vigjilje e Panairit të 11-të të Librit, Tirana 2008

Tiranë 5 nëntor 21:12 NOA - Panairi i Librit “Tirana 2008” mbërrin në edicionin e 11-të të tij, nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, dhe do të mbahet më 14-18 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Duke shënuar kështu, panairin më të madh të librit të mbajtur në mbarë hapësirat shqiptare pasi këtë vit stendat e librit do të pushtojnë tre katet e Pallatit të Kongreseve.
Ceremonia e çeljes së Panairit të 11-të, “Tirana 2008” do të mbahet më 14 nëntor në orën 18.00 menduar të organizohet në formën e një feste të madhe.
Duhet theksuar se çdo botues ka pasur luksin që në këtë edicion të marrë aq sipërfaqe sa ka kërkuar për shkak të hapësirës së ofruar në tre katet e Pallatit të Kongreseve. Mundësi të cilën nuk e kanë pasur në edicionet e shkuara, pasi mjediset e Piramidës nuk mjaftonin për të gjithë.
Qëllimi i panairit dhe promovime
Qëllimet e këtij panairi është paraqitja e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitja e vlerave të arritura nga fusha e botimeve nëpërmjet përurimeve të librave, konferencave, çmimeve e të gjitha veprimtarive të tjera që do të mbahen gjatë ditëve të evenimentit më të rëndësishëm të librit në të gjitha hapësirat shqiptare.
Takimet promovuese me autorët pjesëmarrës do të jenë tepër intensive dhe në çdo orë të ditës në dy sallat e konferenca gjatë gjithë ditëve të edicionit të 11-të. Janë parashikuar gjithashtu edhe konferenca të posaçme me shkrimtarë të ftuar, dhe disa tryeza debati mbi problemet e vazhdueshme të librit shqip.
Botuesit pjesëmarrës
Botuesit pjesëmarrës në edicionin e 11-të të “Tirana 2008” janë jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe përfaqësues nga India, Irani, Kroacia, libri italian etj. ndërsa realizuesi i projektit këtë vit është zgjedhur të jetë kompania “Expo Media” nga Shkupi, e cila është një nga kompanitë më me përvojë në Rajon për projektimin e panaireve të librit. Duke bërë kështu që paraqitja e këtij edicioni të jetë në të njëjtin nivel me panairet ndërkombëtare.
Katalogu dhe Gazeta e Panairit
Katalogu i panairit këtë vit do të vijë ndryshe dhe do të shtypet në 5000 kopje. Jo vetëm informativ për të gjitha veprimtaritë e ditë pas dite në panair, por edhe promovues i shtëpive botuese, ku secili botues i interesuar mund të reklamojë shtëpinë e tij botuese nëpërmjet faqeve të brendshme me ngjyra të tij.
Çdo ditë në të gjithë hapësirën ku do të mbahet edicioni i 11-të i Panairit të Librit, do të jetë edhe Gazeta e Panairit, kryesisht informative mbi të gjitha veprimtaritë e një dite më parë në Panair, dhe ato çka pritet të ndodhin në ditët e ardhshme. E ideuar në formën e suplementit me një nga të përditshmet shqiptare, bëhet e mundur që informacionet dhe kontaktin me panairin ta kenë të gjithë shqiptarët edhe në skajin më të largët të vendit.
Vizita të organizuara
Një ndër risitë e këtij edicioni është edhe bashkërendimi me bashkitë e të gjitha qyteteve të Shqipërisë që në mënyrë të organizuar të vizitojnë panairin jo vetëm personeli i bibliotekave publike, por edhe nxënësit e shkollave publike të Shqipërisë.
Edhe me shkollat publike të kryeqytetit pritet të ketë një marrëveshje të tillë, që nxënësit e shkollave të vizitojnë panairin në mënyrë të organizuar si edhe në vitet e tjera, por nuk ka një përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për këtë kërkesë të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Duhet theksuar se ky është panairi më i kushtueshëm në këto 11 vjet të mbajtjes së tij në Tiranë, dhe deri në këto momente sponsor të vërtetë të tij janë pjesëmarrësit në të, pra botuesit të cilët kanë paguar çdo metër hapësirë.
Mbështetës të tjerë të Panairit të 11-të të Librit, “Tirana 2008” janë Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Bashkia e Tiranës dhe AMC.
a.y/NOA