Vija i gëzohet goleadës ndaj Rajos,Pike mund të humbasë Realin
Mbrojtësi i Barcelonës mund ta ketë marrë me qëllim kartonin e verdhë, çka mund t’i kushtojë atij një ndeshje shtesë pezullim
David Vija është shprehur i kënaqur me fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Rajo Valekanos. Sulmuesi spanjoll shënoi një gol, po aq sa Messi, ndërsa dy gola i shënoi Aleksis Sançez. “Gjëja më e rëndësishme është se ekipi ka fituar. Ne kemi arritur një fitore të rehatshme. Po bëjmë një punë të rëndësishme në shtëpi, veçanërisht në mbrojtje dhe portieri ishte shumë mirë. Ne duhet ta vazhdojmë këtë seri”, ka thënë David Vija në fund të ndeshjes. Sulmuesi spanjoll, prej ditësh ishte nën akuzat e specialistëve të futbollit për rënie të rendimentit të tij. Realisht, Vija i këtij sezoni nuk është Vija i frikshëm i një sezoni më parë. Barcelona fitoi me rezultatin e pastër 4-0 ndeshjen ndaj Rajo Valekanos të luajtur të martën në mbrëmje, e vlefshme për javën e 17 të Ligës. Kjo ndeshje është luajtur më parë për shkak se katalanasit do të jenë në Japoni për Botërorin e Klubeve në mesin e dhjetorit, atëherë kur duhej të luanin ndaj Rayo-s sipas programit të kampionatit spanjoll. Aleksis Sançez me dy gola, Leo Mesi dhe David Vija shënuan golat për ekipin blaugrana që ngushton diferencën në tri pikë me kryesuesit e Real Madridit. Por, në minutën e 83 të takimit mbrojtësi Xherard Pike vonoi nisjen e lojës duke detyruar arbitrin e ndeshjes që t’i jepte kartonin e verdhë. Ky ndëshkim ishte i pesti i ciklit dhe do të bëjë që Pike të mos luajë ndaj Levantes të shtunën në mbrëmje dhe teorikisht të jetë “i pastër” për supersfidën e ardhshme ndaj Real Madrid në ‘Santiago Bernabeu’ (10 dhjetor). Teorikisht sepse sipas nenit 112 të kodit disiplinor, lojtari që provokon kartonin e pestë të verdhë mund të ndëshkohet me një ndeshje shtesë dënim përveç pezullimit për plotësim kartonësh. Nëse arbitri do të shkruajë në raportin e tij se Pike vonoi lojën me qëllim për të marrë kartonin e pestë, atëherë qendërmbrojtësi mund të mos jetë në fushë në ndeshjen klasike të Spanjës.