Vllaznia do 50 mijë euro për Sukajn
Pas pezullimit 4-mujor dhe gjobës me 50 për qind të vlerës së kontratës, për Xhevahir Sukajn nuk mund të thuhet se ditët në vijim do të jenë të qeta. Kjo, sepse ai ka kontratë me Vllazninë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Por shkodranët duket se janë të gatshëm që ta vënë dorën në zëmër për 50 mijë euro. Kjo është shuma që kërkon Vllaznia. Vështirë edhe që të ketë një falje, pasi në vendimin për pezullim të Sukajt, një rol jo të vogël ka luajtur vetë trajneri Rudi Vata dhe nuk besohet që ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të tërhiqet nga e tija. Sulmuesi i ri, që ishte në prag të largimit në verë, i joshur nga Hajduku i Splitit, është i lirë të zgjedhë pikërisht në janar. Në fillim të vitit të ardhshëm, kontrata e tij përfundon dhe është në dorë të lojtarit që të verë në veprim klauzolën për rinovim edhe 6 muaj të tjerë.