Vijnë 8 lojtarët e fundit, De Biazi teston mbrojtjen
Ka vijuar edhe dje stërvitja e Kombëtares në kompleksin "Tropi-kal" në Durrës. Janë bashkuar me kuqezinjtë edhe 8 lojtarët e fundit, të cilët janë stërvitur veçmas pjesës tjetër të grupit, pasi vinin nga ndeshjet e së shtunës apo të dielës dhe udhëtimeve të gjata, siç ishte rasti i Salihit. I vetmi që i është bashkuar grupit të parë ka qenë Valdet Rama, i cili ka mbërritur të shtunën dhe në ndeshjen e fundit ka luajtur vetëm 15 minuta, duke qenë i freskët. De Biazi është marrë kryesisht me mbrojtjen edhe dje, duke vënë në vijë të drejtë Dallkun, Mavrajn, Currin dhe Agollin. Por kjo nuk është përfundimtare, pasi mund të luajë edhe Osmani apo Hysaj, i cili nuk është stërvitur me grupin, pasi të dielën në mbrëmje ka qenë i angazhuar me Empolin e tij, që nuk siguroi dot Serinë A. Në mesfushë janë testuar dje Gjasula, Basha, Bulku dhe Rama. Ndërsa në sulm Llullaku, Çani dhe më pas Bogdani. Salihi vetëm ka bërë vrapime dje, pasi ka ardhur nga Kina e largët dhe ka qenë i lodhur. Reparti i mesfushës është më i populluari se kurrë. Siç duket, nga ajo që deklaroi edhe në konferencën për shtyp, De Biazi ka ndërmend të luajë më shumë nga krahët në mesfushë, për të furnizuar me krosa sulmuesit e gjatë apo edhe Salihin. Gjithsesi, trajneri i kombëtares duhet të presë lejen e aktivizimit të FIFA-s për disa futbollistë të rinj dhe më pas të ideojë formacionin për ndeshjen e së premtes, duke shpresuar që nuk do të ketë asnjë dëmtim apo probleme të tjera shëndetësore.