E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi, policia merr në mbrojtje familjen e Kollozit. Kreu i PD: Asnjë ide për autorët

VLORE - Dy ditë pas ngjarjes së rëndë ku një sasi eksplozivi shpërtheu pranë banesës së liderit të Partisë Demokratike të Vlorës, në të njëjtën kohë, kandidat për deputet, Ardian Kollozi, policia ka marrë në mbrojtje familjen e tij. Nga ana e Drejtorisë së Policisë së qarkut Vlorë, është lënë në ruajtje një efektiv në hyrje të pallatit ku banon familja Kollozi. Megjithëse hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë duke u zhvilluar intensivisht, ende nuk është arritur identifikimi i autorit apo autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana tjetër, Ardian Kollozi në një prononcim për "Gazeta Shqiptare" është shprehur se nuk ka asnjë dyshim përsa u përket autorëve. "S'kam asnjë ide se kush mund ta ketë bërë këtë akt kriminal. Unë kam lëvizur ditë e natë vetëm pasi nuk i kam bërë keq njeriu, nuk kam pasur asnjëherë probleme", ka deklaruar Kollozi.
DEKLARATA
Vetë kreu i PD-së Vlorë, Ardian Kollozi është shprehur se pavarësisht kësaj ngjarjeje, asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar. "Kam lëvizur ditën po ashtu dhe natën i pashqetësuar dhe asnjëherë nuk më ka ndodhur diçka e tillë apo e përafërt, pasi nuk i kam bërë keq askujt", ka deklaruar Kollozi. Përgjatë këtyre viteve si në politikë dhe po ashtu jashtë saj, ai shprehet se u ka shërbyer qytetarëve në mënyrë të drejtë. Ndërsa për sa i përket shpërthimit, Kollozi, i katërti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, shprehet se kjo ngjarje nuk do ta ndalë për t'u shërbyer qytetarëve të tij.
HETIMET
Blutë e Vlorës kanë shoqëruar dhe pyetur rojen e parkimit të automjeteve në bllokun e pallateve ku banon kreu lokal i PD-së, Ardian Kollozi. Mësohet se roja ka deklaruar se nuk ka parë ndonjë lëvizje të dyshimtë, pasi sipërfaqja që ka në ruajtje është shumë e madhe. Ndërkohë policia ka vazhduar të marrë në pyetje persona të ndryshëm, të cilët janë verifikuar nga kamerat e sigurisë së subjekteve të ndryshme që kanë kaluar pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Nga ana e grupit hetimor të policisë së Vlorës pohohet se eksplozivi mund të jetë vendosur në shenjë paralajmërimi dhe jo me qëllimin për të dëmtuar. Në këtë përfundim është arritur, pasi në vendin e ngjarjes është gjetur një pjesë e fitilit të eksplozivit, çka do të thotë se nuk ka qënë i telekomanduar dhe koha për largimin e autorit ka qenë e shkurtër. "Mendojmë se kemi të bëjmë me një paralajmërim më shumë se një synim për të dëmtuar dhe për faktin që shpërthimi është bërë nga fitili i ndezur dhe jo me telekomandim, mendojmë se kemi të bëjmë me individë jo shumë profesionistë, të cilët kanë dashur më shumë të japin një mesazh frike", pohojnë burime nga policia e Vlorës. Megjithatë paraprakisht është pohuar se shënjestër e këtij akti ka qënë Ardian Kollozi, hetimet janë shtrirë edhe tek banorët e tjerë të pallatit. Mësohet se blutë janë duke hetuar për konflikte që mund të kenë pasur banorët, të cilët banojnë në apartamentet e katit ku ishte vendosur eksplozivi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›